TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Emocione të shumta, por asnjë fitues në duelin Partizani-Vllaznia që përfundoi me rezultatin 1-1. Shkodranët ruajnë diferencën prej pesë pikësh me të kuqtë dhe tani janë tri më pak se Kukësi i vendit të tretë, por Tirana kryesuese ka shansin ta thellojë e më tepër distancën nesër.
Dueli në stadiumin “Air Albania” nisi me emocione të shumta, teksa shkodranët fituan një penallti për një prekje të topit me dorë nga Bitri. Liridon Latifi mori përsipër 11-metërshin dhe Alban Hoxha e ndal, por VAR nuk i dha mundësinë të festonte.
Portieri i “Demave” kishte dalë nga porta para kohe dhe penallti duhej përsëritur. Herën e dytë Latifi nuk fali, duke gjuajtur në qendër. Festë në kampin shkodran, ndërkohë që pak minuta më pas u mundua të befasonte edhe Hakaj me një gjuajtje fluturimthi nga jashtë zone.
Partizani u kundërpërgjigj me Albion Markun, i cili e çoi topin pak mbi tra. Xhuljano Skuka provoi me një roveshatë në të 27’, por Zogovic e devijoi topin. Murataj dhe Kallaku dy herë u munduan nga distanca, por pa sukses.
Në shtesën e pjesës së parë Esin Hakaj u ndëshkua me karton të kuq, me VAR, për një goditje me bërryl. Pjesa e parë përfundoi 0-1, ndërsa e dyta nisi me dy gjuajtje të lehta të Carës dhe Skukës. Kavajasi nuk fali në minutën e 64-t.
Sulmuesi e çoi topin në rrjetë dhe goli u dha me VAR, pasi fillimisht u sinjalizua për pozicion jashtë loje. Partizani vazhdoi të ngulmonte për të përmbysur rezultatin, por Mala e Mirosavljev nuk kishin shënjestrën e duhur. Në shtesë “Demat” kishin një mundësi të artë të fitonin, por Cara u ndal nga traversa.