SPORT, 17 Prill 2022, 18:41

Atletiko Madrid triumfon ndaj Espanjolit të Bares, Levante shokon Granadan e Uzunit

Atletiko Madrid triumfon ndaj Espanjolit të Bares, Levante shokon Granadan

Një gol i Yannick Carrasco nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 100-të i ka dhuruar fitoren Atletiko Madrid përballë Espanjolit (2-1).

Pas një pjese të parë të ekuilibruar, madrilenët zhbllokojnë shifrat me Carrascon (52') në pjesën e dytë. Geoffrey Kondogbia prish planet e Simeones, pasi largohet nga fusha me karton të kuq dhe vetëm pak minuta më vonë, miqtë barazojnë shifrat me De Tomas (74').

Atletiko pretendon një penallti në minutat shtesë dhe pas verifikimit në VAR gjyqtari akordon 11-metërshin, që shndërrohet në gol nga Carrasco. Një fitore e vuajtur e ardhur në minutën e 100-të mban madrilenët në zonën Champions.

Keidi Bare ka luajtur për 59 minuta në këtë takim për Espanjolin.

Shqiptari tjetër që aktivizohet në kampionatin spanjoll, Myrto Uzuni ka luajtur 21 minuta në humbjen 4-1 të Granadas përballë Levantes.

Një disfatë që komplikon seriozisht pozitat e skuadrës së shqiptarit, që tashmë rrezikon seriozisht rënien nga kategoria.

Spanjë – LaLiga / Java e 32-të

Atletiko Madrid-Espanjol 2-1

Carrasco 52’, 90+10’ / De Tomas 74’

Granda-Levante 1-4

Collado 90+2’ / Gomez 17’, Morales 56’ (pen), Malsa 77’, Soldado 90+5’