AKTUALITET, 17 Shtator 2018, 18:55

Spaleti: Totenhemi në presion, shans për ta dalë nga kriza

Inter pësoi ditën e shtunë një disfatë të hidhur në “San Siro” kundër Parmës me shifrat 0-1. Për këtë humbje padyshim të gjithë kritikat ishin për numrin një të zikaltërve, Luçiano Spaletin. Ky i fundit ka folur për mediat në lidhje dhe me debutimin e ekipit të tij në Uefa Champions League, teksa do të kenë një sfidë shumë të veshtirë ndaj anglezëve të Totenhem. Spaleti ka shprehur besimin se do të jetë pikërisht sfida ndaj “gjelave” të Londrës që do të rikthejë buzëqeshjen në kampin zikaltër.

CHAMPIONS – “Janë pikërisht këto ndeshjet që shkojmë me shumë entuziazëm. Një ndeshje që vjen pikërisht në momentin e duhur, sepse momentin e keq që ne po kalojmë mund ta kalojmë me anë të kësaj sfide. Champions është një kompeticion që të jep emocione dhe ndjesi të cilat në qoftë se i provon nuk mund të vazhdosh pa ato. Padyshim Champions është ‘Disney’ i futbollit”.

GABIMET E INTER – “Ne nuk duhet të jemi konfuzë. Duhet të analizojmë se çfarë kemi bërë dhe se çfarë duhet të bëjmë. Përgjegjësia më e madhe për rezultatet është e imja, por në qoftë se përqendrohemi tek sfida e fundit, deri në minutën e 75-të kemi qenë duke e dominuar takimin. Pas golit jemi treguar totalisht konfuz dhe kjo ishte ajo çfarë nuk më pëlqeu”.

TOTENHEM – “Ata do të kenë më shumë presion. Janë më me përvojë se ne dhe janë të fortë, por dhe ne gjithashtu jemi një ekip i fortë. Ne nuk po kalojmë një moment të mirë, por siç e thashë kjo mund të jetë sfida që mund të na bëjë të shmangim këtë moment.”

Inter rikthehet të luajë në Ligën e Kampioneve pas një mungese relativisht të gjatë dhe pak lojtarë nga skuadra zikaltër kanë arritur të luajnë në kompeticionin më prestigjioz për klubet evropiane. Lidhur me këtë çështje, Spaleti ka deklaruar: “Është e vërtetë që kemi mungesë përvoje në Champions, por ajo çfarë ky kompeticion transmeton do të na bëjë t’i kalojmë kufijtë tanë”.

GRUPI I FERRIT – “Analiza që kemi bërë ditën e djeshme me skuadrën ka qenë mëse e qartë. Kemi pak për të folur dhe shumë për të bërë. Duhet të përveshim mëngët dhe të bëjmë më shumë. Ndeshjet duhet t’i marrim një e nga një”.

MUNGESAT DHE MBROJTJA ME 3 – “Gjendja e D’ambrozios mbetet për t’u vlerësuar deri nesër. Deri dje ka punuar mirë, por rreziku që mund të mungojë mbetet real. Me grupin aktual që kemi mund të kemi dhe një mbrojtje dhe me 3, por deri nesër le të shohim”.

Ditën e nesërme, në orën 18:55 Inter dhe Totenhem do të vihen përballë njëri-tjetrit në një sfidë, që padyshim premton grinte dhe spektakël.

NDESHJET E NESERME, 18 SHTATOR (DITA I)