AKTUALITET, 17 Shtator 2018, 15:07

Ekspertja gjermane e STASI-t: Në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit u shndërrua në Shërbim Informativ

Ekspertja gjermane e STASI-t: Në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit u
Ish zëdhënësja e Arkivave të STASI-t , Dagmar Hovestädt e pranishme në workshopin mbi raportimet për dosjet e sigurimit ë shtetit dhe arkivat ka dhënë eksperiencën e vendit të saj për dosjet e agjencisë e sigurimit të Gjermanisë.

Në tryezën e organizuar nga Instituti për Media Demokraci dhe Kulturë dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentat e ish-Sigurimit të Shtetit, Hovestädt tregoi për historinë e agjencisë së inteligjencës sekrete STASI krijuar nga sovjetikët në Gjermaninë Lindore, duke bërë dhe dallimet me Shqipërinë, tranzicionin pas rënies së murit të Berlinit, apo dhe bashkimit me Gjermaninë Perëndimore dhe më tej me qasjen në arkiva që të dy vendet po i kanë të ndryshme.

Ekspertja gjermane ka thënë se edhe kjo agjenci bënte survejimi i popullatës në mënyrë që të mos cenohej pushteti – ashtu sikurse bëri edhe Sigurimi i Shtetit në Shqipërinë komuniste.

“STASI gjatë aktivitetit të tij, arriti të krijonte mbi 111km dokumenta për popullsinë e Gjermanisë Lindore. Pas ndërtimit të murit në Berlin, STASI vriste cilindo që mundohej të arratisej nga vendi. Metodat ishin të ngjashme me Sigurimin. Rekrutim informatorësh, apo bashkëpunëtorësh. Përgjim dhe përndjekje. Ndryshimi ishte se agjencia e inteligjencës në Gjermaninë Lindore ishte Ministri e mirëfilltë (Ministerium für Staatssicherheit – Ministria për Sigurimin e Shtetit). Në Shqipërinë komuniste Sigurimi i Shtetit operonte si një organ i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Gjithashtu ndryshim thelbësor mes përvojës gjermane dhe asaj shqiptare, ka të bëjë me momentin e rrëzimit të sistemeve. Në Gjermaninë Lindore, populli i revoltuar zuri me protesta ambientet e STASI-t duke kërkuar hapur largimin e sovjetikëve dhe bllokimin e procesit të asgjësimit të dosjeve”, ka thënë Hovestädt .

Në sqarimin e saj, ekspertja gjermane ka shtuar më tej se: “Pikërisht qasja e tillë që në fillim e shpëtoi arkivin dhe bëri që shumë dokumente të mos humbisnin. Më vonë kur ambientet e STASI-t i kaluan autoriteteve demokratike dhe puna u bllokua përfundimisht, ata zbuluan rreth 16 mijë thasë me dokumente të grisura. Prej kësaj mase të madhe, që prej vitit 1995 janë mundur të rikuperohen rreth 400. Ndërkohë tashmë procesi është përshpejtuar me ndërfutjen e teknologjisë. Për sa i përket Shqipërisë, historia tregon se lëvizjet demokratike nisën shumë më vonë se vendet e tjera dhe qasja ishte krejt tjetër. Masat iu drejtuan kryesisht strukturave politike. Tranzicioni ishte tejet i vështirë pasi ndryshe nga gjermano-lindorët, të cilët u asistuan nga patriotët e tyre perëndimorë, shqiptarët ishin pa përvoja në aspektet demokratizuese. Në çështjen e Sigurimit të Shtetit, ky institucion thjesht sa u reformua duke kaluar në Shërbim Informativ Kombëtar e më tej në Shërbim Informativ Shtetëror teksa arkivat nuk u hapën kurrë.

Më tej ekspertja gjermane ka thënë se: “Në Shqipëri muzetë e parë për të kaluarën komuniste u hapën pas vitit 2015-të, rreth 24 vite pas rënies së komunizmit. Ndërkohë teksa legjislacioni i Autoritetit të Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është një formë lustraacioni, në Gjermani gjithmonë është mbajtur një qëndrim më liberal. Fondacioni Federal për Studimin e Krimeve të Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore ka si detyrë thjesht të informojë publikun rreth të kaluarës së personave publik. Nëse ata figurojnë të implikuar me STASI-n është vetë publiku që e merr në dorë vendimin për t’i zgjedhur apo jo në zyrat e shtetit, pra në Gjermani mundet që të marrin pjesë në zgjedhje, ish-funksionarë të STASI-t, ndërkohë në Shqipëri nëse ke qenë operativ i Sigurimit të Shtetit dhe kjo gjë vërtetohet pas hulumtimit të AIDSSH-ës, të ndalohet kategorikisht emërimi”.