TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
José Mourinho sapo ka zgjidhur problemet e tij me autoritetet tatimore spanjolle. Antonio Conte duhet të zgjidhë telashet e tija… sportive. Që janë “shumë dhe nuk zgjidhen lehtë”. Ai që e pranon është vetë tekniku i Chelsea-t në prag të duelit shtëpiak kundër Manchester United të rivalit të tij. Hipotezat e zakonshme (shkarkim në rast humbjeje) janë pjesë e lojës: zëra që kanë nisur që në verë. Ku i dihet.
Vitin e kaluar në përballjen e “Stamford Bridge” kishte përfunduar me një goleadë të “Blues” dhe një përplasje verbale mes të dyve. Mou kishte kritikuar ish-trajnerin e Italisë duke e akuzuar “për mungesë respekti”, pasi nxiste tifozët e Chelsea-t në një kohë kur ndeshja ishte vendosur. Kritika të kthyera mbrapsht nga Conte, i cili edhe dy javë më parë ka ngacmuar kolegun e tij: “Mourinho flet shpesh për Chelsea-n”.
Sot do të vihen përballë, por gjendja shpirtërore e dy rivalëve është në skaje të kundërta. Edhe pse i shkëputur me 5 pikë nga kryesuesja Manchester City, ekipi i United është i dyti në Premier League dhe thuajse ka siguruar kualifikimin për në fazën tjetër të Champions League.
Pas humbjes në Romë, tani Chelsea po vuan edhe në Europa të njëjtën situatë si në Premier, ku numëron tre humbje. Vështirësi që Conte nuk mundet dhe as nuk do që t’i minimizojë: “Në këtë moment problemet janë shumë dhe jo të lehtë për t’u zgjidhur, – thotë trajneri italian -. Pjesa e dytë e Romës ishte veçanërisht negative në çdo aspekt. Nuk kam humbur entuziazmin për të drejtuar këtë skuadër sepse jam vaksinuar nga ky lloj presioni”.
Ndërkohë që një pjesë e media vazhdon të vërë bast për shkarkimin e tij të paevitueshëm, Conte i siguron të gjithë se marrëdhëniet me Roman Abramovich mbeten të mira: “E takova javën e kaluar, kur mori pjesë në stërvitjen e transfertës së parë të Romës. Biseduam për gjendjen e skuadrës. Kampionati? Në këtë moment problemi kryesor quhet Manchester City që po vrapon me shumë shpejtësi”. Aktualisht janë +9 nga “Blues” pas 10 javësh.
Ndeshjet – Sa i përket ndeshje të javës në Premier League, në orën 15:15 Manchester City do të kërkojë të vijojë ecurinë pozitive edhe përballë Arsenalit të Wengerit, që gjithashtu po paraqitet mirë në këtë fillim sezoni, por që ka dështuar gjithmonë ndaj ekipeve të mëdha.
Skuadra e Guardiolës vjen në këtë takim si kryesuese, me 28 pikë në 10 javë, dhe me 5 pikë më tepër se vendi i 2-të, ndërsa Arsenali mban vendin e 5-të, po aq sa edhe Chelsea i vendit të 4-t, me 19 pikë.
Kryendeshja e javës do të startojë në orën 17:30, në Londër, mes Chelsea-t dhe Manchester United-it. Krahas rivalitetit sportiv, atmosferën e këtij takimi e kanë ndezur edhe më shumë polemikat e vazhdueshme mes 2 trajnerëve, Antonio Conte dhe Jose Mourinho.
Dy takimet e tjera janë ato mes Tottenhamit dhe Crystal Palace, në orën 13:00 dhe Everton-Watford, në 17:30.