SPORT, 4 Nëntor 2017, 20:40

Bayern del fitimtar nga “Signal Iduna Park”

Bayern del fitimtar nga “Signal Iduna Park”

Bundesliga ka një pronar me kontratë 999 vjet dhe ai është Bayern! Skuadra bavareze shkatërroi 3-1 Dortmundin në transfertë, duke u konsoliduar kështu në krye të tabelës së klasifikimit.

Me të rikthyerin Robert Lewandowski dhe me të riun Joshua Kimmich të mbërritur në çastet e fundit në “Signal Iduna Park” pas probleme në stomak, Jupp Heynckes formoi 11-shin ideal kundër verdhezinjve, me të cilin pretendon të fitojë edhe një herë tripletën, ashtu si në vitin 2013.

Gjithçka shkoi për mrekulli për rekordmenët, të cilët e gjetën golin e parë pas 17 minutash lojë. Arjen Robben mori pasimin e përkryer nga James Rodriguez, i cili ndali topin me gjoks dhe e “shtroi” me këmbë në zonë gjithë delikatesë. “Tulipani fluturues” u bë edhe një herë makthi i vendësve, pasi harkoi sferën në mënyrën e tij tradicionale për ta çuar në trekëndëshin e portës.

Goli i dytë erdhi në minutën e 37-të, kur Lewandowski nuk e pati aspak të vështirë të shndërronte në gol pasimin e marrë nga Kimmich. Polaku u mundua të mos e festonte golin kundër ish-skuadrës së tij, por kjo ishte e vështirë. Kështu u mbyll pjesa e parë.

Në të dytën, Bayern e shtoi ritmin e lojës dhe, duke shfrytëzuar faktin që Borussia po kalon një krizë, e mbylli ndeshjen që në të 67’ me austriakun David Alaba. Ky i fundit dërgoi një kros drejt zonës, aty ku përpjekja e 29-vjeçarit Lewandowski për të shënuar ishte vetëm çoroditëse për rivalët, sepse prekje nuk pati. Kaq ishte, me bavarezët më të etur se kurrë për fitore dhe me verdhezinjtë krejt jashtë ritmi, pa e ditur se ku kanë kokën.

Goli i nderit nga vendësit u shënua nga Marc Bartra dy minuta para mbylljes së kohës së rregullt dhe ishte realisht spektakolar, por nuk shërbeu për asgjë. Bayern vazhdon të jetë i pari (26 pikë pas 11 ndeshjesh), kurse Borussia është e treta me gjashtë pikë më pak.