SPORT, 5 Nëntor 2017, 11:15

Juve sfidon Memushajn e Gjimshitin, Allegri: S’do na hapin rrugë pse jemi të bukur

Juve sfidon Memushajn e Gjimshitin, Allegri: S’do na hapin rrugë pse

“Rezultatet e Benevento-s janë të tmerrshme, por edhe të rrezikshme. Në futboll kam parë shumë dhe rreziku është gjithnjë i lartë. Por, nuk pranohen shpërqendrime”. Kështu e nis fjalën e tij, trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri në vigjilje të sfidës kundër Benevento-s ku aktivizohen Ledian Memushaj dhe Berat Gjimshiti.

“Shpërqendrimi është shenjë e mungesës së pjekurisë”, shtoi trajneri Allegri, duke kërkuar gjithnjë që të mbajë të karikuar të tijtë, edhe pse Benevento nuk ka asnjë pikë në 11 ndeshjet e zhvilluara gjatë këtij sezoni në Serinë A.

Për sa i përket formacionit që do të hedhë nesër në fushë, Allegri u shpreh: “Nuk do të bëj eksperimente. Duam ta fitojmë këtë takim. Benevento nuk do të na lërë të fitojmë se jemi të bukur, apo sepse jemi Juventus”.

Sipas “Corriere dello Sport”, risia në formacionin e bardhezinjve do të jetë me siguri Szczesny në portë dhe Marchisio në mesfushë duke zëvendësuar Khedirën.

Rotacion do të ketë mes Mandzukic dhe Bernardesci-n, me këtë të fundit që pritet të jetë titullar, ndërsa Dybala, Higuain e Alex Sandro do të jenë titullarë. Juventus-Benevento do të luhet sot  në orën 15:00.