TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Prania e Berishës në emisionin “Open” të Eni Vasilit në Top Channel ditën e hënë ka shkaktuar një valë reagimesh me gazetarëve në vend. Pas mbarimit të emisionit ishte drejtori i komunikimit në kryeministri Endri Fuga, ai që i quajti gazetarët të squllët para ish-kryeministrit Berisha. Ndërkohë, përpos reagimeve të shumta, ka ndodhur edhe një ‘përplasje’ mes botuesit Carlo Bollino dhe sekretarit për marrëdhëniet me mediat i Partisë Socialiste, Alfred Peza.
Në një shkrim te Shqiptarja.com Carlo Bollino shtjellon në një shkrim të gjatë atë që Fuga thotë në pak rreshta. Bollino shprehet se spektakli i emisionit “Open” ditën e hënë ishe i neveritshëm, pasi 4 gazetarë tigra, sipas tij, u shndërruan në kotele përballë Berishës. Bollino përmend edhe Alfred Pezën si sekretar për marrëdhëniet me mediat i Partisë Socialiste, për të cilin shprehet se e ka kapur sindroma e Stokholmit, si dhe se nuk bëri as më të voglën rezistencë ndaj rikonstruksioneve plot fantazi të Sali Berishës.
Po ashtu, Bollino shton se “Peza heshti edhe kur Berisha nisi të ulërasë “kafshë, kafshë, kafshë” në adresë të Edi Ramës, i cili e ka emëruar Alfred Pezën në atë funksion, pikërisht për të mbrojtur imazhin publik të partisë. Peza madje harroi t’i bënte pyetje edhe për veten e tij, po të kemi parasysh se vetëm pak muaj më parë Berisha e ka akuzuar publikisht për pastrim parash. Në të kundërt, pikërisht si një kotele-analist, në fund të emisionit, Alfred Peza zgjodhi t’i bëjë furçën finale Berishës, duke i ofruar edhe një dhuratë.”
Bollino shkruan se pjesa më e madhe e gazetarëve në vend, kur janë përballë Berishës, u zhduket aftësia e tyre kritike, kurajoja e tyre avullon, fshihet çdo kuriozitet dhe kujtesa zbrazet, duke i shndërruar këta gazetarë në servilë dhe tigrat mediatikë që kthehen në mace të vockla.
Nga ana tjetër nuk ka munguar edhe reagimi i sekretarit për marrëdhëniet me mediat i Partisë Socialiste, Alfred Pezën. Ai i ka kthyer ‘reston’ Carlo Bollinos me një shkrim në portalin e tij “Alpenews”. Peza e nis shkrimin duke thënë se “Bollino ka nisur një seri sulmesh personale ndaj tij duke u munduar që ti kamuflojë ato, në emër të shqetësimit se unë nuk po e mbroj Partinë Socialiste, aq sa do të donte ai.”
Peza sqaron se librin e tij “Sarah” ia ka dhënë Berishës para emisionit, duke përmendur faktin se këtë libër ia ka dhuruar një sërë politikanësh dhe disa politikanëve të tjerë të lartë, të të gjitha kahjeve politike në Shqipëri, por edhe shumë gazetarëve e botuesve. Peza shkruan se këto sulme të Bollinos i kanë rrënjët tek një plagë të vjetër, qysh në kohën kur Peza themeloi Televizionin Informativ “Ora News”, ku sipas Pezës, ky televizion uli shikueshmërinë e “News 24”, të cilin bollino drejtonte.
Peza e mbyll shkrimi ne tij me disa pyetje kundrejt Bollinos, duke i përmendur edhe bashkëshorten si ortake në një kompani: “A është bashkëshortja juaj Alba Malltezi, ortake në “FFM Group”, një shoqëri e krijuar më 2011 me ortake edhe Eva Doçin si dhe një kompani italiane e quajtur “Superba S.R.L” me seli në Napoli? A ka qenë kjo e fundit nën hetim nga Prokuroria shqiptare për pastrim parash në zonat offshore? A është “Superba S.R.L” aksionere edhe në “Everest Oil” e cila ka për administrator ish kandidatin për kryetar Bashkie dhe ish drejtorin e KESH-it të Sali Berishës, Gjergj Bojaxhiun?” – përfundon Peza.