TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Fluksi i lartë i azilkërkuesve mund të mos ketë bërë që shqiptarëve t’u anulohet lëvizja e lirë në hapësirën Schengen, por padyshim që ka dhënë efekte negative. Gjatë vitit që lamë pas, u është mohuar hyrja mbi 32 mijë shqiptarëve.
Të dhënat janë të pasqyruara në raportin e “Frontex” mbi analizën e riskut për vitin 2018. Shqiptarët janë kombësia e tretë më e përjashtuar nga Europa, pas ukrainasve me 37 mijë hyrje të mohuara dhe rusëve me 36 mijë hyrje të mohuara.
Arsyeja kryesore është ashpërsimi i politikave të Greqisë për kalimin e kufirit. Ndonëse kontrollet e rrepta të dokumentacionit për shqiptarët kanë nisur që në vitin 2014, vitin e shkuar Greqia e dyfishoi numrin e refuzimeve.
Pavarësisht se shqiptarët janë një ndër grupet kryesore të kombësive që tentojnë të kalojnë me dokumente të falsifikuara, kjo nuk ka qenë baza për refuzimet:
Numri i lartë i refuzimeve ka ndikuar në shtimin e rasteve të kalimit të paligjshëm të kufirit me 22%, duke arritur në 6500 kalime ilegale, më shumë se çdo shtet tjetër sa i takon kufijve tokësorë. Po ashtu ka qenë i lartë edhe numri i zyrtarëve shqiptarë në kufij që ndihmojnë shqiptarët të shkelin ilegalisht në Europë. Kjo e dhënë mbështetet nga raportimet e herëpashershme të Ministrisë së Punëve të Brendshme për shpërdorim detyre nga ana e punonjësve kufitarë.
Krahas këtyre problematikave, Shqipëria renditet si grupi i parë edhe për kthimet në atdhe, megjithëse 84% kanë patur një kthim të forcuar, me mbi 21 mijë raste (4-fishi në raport me shtetin tjetër në renditje).
Gjithashtu, Shqipëria renditet shteti i tretë, pas Ukrainës dhe Marokut, me numrin më të lartë të qëndrimeve të paligjshme në një shtet të Bashkimit Europian.