TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Tërheqja e lekëve nga bankomati, nëse keni nevojë në moment, në Shqipëri nuk aq praktike sa duket. Mundësia për këtë të fundit, është shumë e ulët.
Ndonëse në Shqipëri ka aktualisht 16 banka (së shpejti do të bëhen 15 për shkak të bashkimit të dy prej tyre), numri i automateve që shërbejnë për tërheqjen e parave është më i ulëti në rajon.
Sipas të dhënave të publikuara nga FMN-ja, Shqipëria ka 33.8 automate bankare (ATM) për 100 mijë banorë, shifër kjo që është më e ulëta në rajon dhe ndër më të ulëtat në Europë. Pas nesh renditet Kosova, që ka 38 automate për 100 mijë banorë.
Në shtetet e tjera të rajonit është më lehtë të gjesh një makinë ku të tërheqësh para. Në Maqedoni ky tregues është 60, në Serbi dhe Bosnjë 50, Mali i Zi me 78. Në Itali ka 94 automate për 100 mijë banorë. Në përgjithësi, në vendet e Europës Perëndimore, që kanë një sistem të zhvilluar financiar, ka rreth 100 automate për 100 mijë banorë.
Rekordin e mban Kanadaja me mbi 220 automatë. Rusia e ka këtë tregues afër 170. Edhe vendet e tjera të ish bashkimit Sovjetik dallohen për numrin e lartë të automateve.
Ndonëse është në nivelin më të ulët në Europë, Shqipëria është shumë më mirë se disa vjet më parë. Një dekadë më herët, në 2006-n, kishte vetëm 9 automatë për 100 mijë banorë. Më pas me rritjen e konkurrencën dhe zhvillimin e sistemit bankar, numri i tyre u rrit deri në 35, në vitin më të mirë që ishte në 2013-n. Më pas bankat filluan të shtrëngonin rripin dhe e ulën sërish lehtë numrin e automateve që janë në dispozicion të klientëve për të tërhequr para cash në çdo orë të ditës ose natës.
Shqipëria është një ekonomi e orientuar nga cash-i, teksa paraja jashtë bankave përbënte rreth 20% të totalit të parasë gjithsej në vend në fund të muajit gusht, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë. Në Europë, ky tregues është në nivel njëshifror./Monitor