AKTUALITET, 24 Tetor 2017, 13:36

Saimir Tahiri i drejtohet Prokurorisë me një kërkesë absurde (Dokumenti)

Në një kohë, kur Prokuroria e Krimeve të Rënda, kërkon heqjen e imuntetin dhe arrestimin e ish Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirin, ky i fundit ka nisur të bëjë show dhe kapërcime me publikun.

Në daljen e sotme para mediave, Tahiri u shfaq i nevrikosur dhe i irrituar, për faktin se ndaj tij nuk po hetohej siç duhej, por ishte kthyer në një gjyq politik. Dhe për të të shfaqur veten si “dashnor” i drejtësisë, Tahiri njoftoi se ka angazhuar dy avokatët e njohur, për t’i bërë një kërkesë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që të zhvillojë intensivisht e pa ndërprerje hetimin ndaj tij.

Duke u bazuar mbi të drejtën e personit mbi të cilin po zhvillohen hetime, nisur edhe nga predispozicioni dhe vullneti i personit nën hetim kërkojmë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda të thirrem në një kohë sa më të shkurtër për të dhënë deklarime, si dhe për tu marrë në pyetje dhe dhënë shpjegime për çdo fakt, që nga ana e organit të akuzës do të çmohet i vlefshëm dhe në ndihmë të hetimit”- thuhet në dokumentin e siguruar nga Tpz.al

“I kam kërkuar sot prokurorisë së krimeve të rënda të zhvillojë intensivisht e pa ndërprerje hetimin tim.” – tha sot ish Ministri i Brendshëm

Kjo kërkesë duket se po shërben për t’i hedhur hi syve të shqiptarëve, se Tahiri nuk kërkon mbrojtje nga askush, por do që të hetohet intesivisht.

“Rruga jonë për tek e vërteta, nuk mudn të jetë as me pushime në mes, as me terezi se kohën para e kemi. Unë nuk kam kohë për të humbur në zbardhjen e së vërtetës, e as pres të bëhet tërkuzë kjo histori, për të vonuar të vërtetën e për të lënë llumin e politikës të bëjë politikë.”- shton më tej Tahiri.

Por nëse kjo kërkesë, do të ishte e sinqertë nga ish Ministri i Brendshëm, atëherë Tahiri do të udhëzonte menjëherë kolegët e tij (deputetët e PS në Komisionin e Mandateve), që t’i hiqnin mandatin menjëherë.

“Dhe do bëj gjithçka që kjo të mos ngecë në kanalet e ndryshkura të drejtësisë, që sot mbeten në këmbë vetëm nga kanalet e pista të politikës, që nga drejtësia e korruptuar janë ende në politikë, e që sot kanë detyrim të mbështesin drejtësinë e korruptuar si shpërblim.” – u shpreh Tahiri.

Ish Ministri i Brendshëm, me mbështetjen e kryeministrit Rama, jo vetëm që nuk po i dorëzohet drejtësisë, por nga ana tjetër ai vet i ka mbyllur hetimet, duke mos lënë asnjë hapësirë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda. /TPZ.AL/