AKTUALITET, 13 Dhjetor 2017, 12:46

'Rrëmbimi' i Prokurorit nga Rama, Kryemadhi paralajmëron protesta si PD...

'Rrëmbimi' i Prokurorit nga Rama, Kryemadhi paralajmëron

Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI,  e ka kundërshtuar me tone të ashpra, zgjedhjen e Prokurorit të  Përgjithshëm të përkohshëm nga Partia Socialiste në shkelje të plotë të Kushtetës, duke e konsideruar këtë si një rrëmbim. Në këtë këndvështrim, Kryemadhi ka deklaruar se kur të shterin të gjithë hapat ligjorë për ta penguar “rrëmbimin” e Prokurorit të Përgjithshëm nga Edi Rama, do t’i bashkohet protestave të PD në rrugë dhe sheshe. Madje, “ato janë më të bukura, kur janë me protesta”, vërejti Kryemadhi.

Pyetje: Z. Kryemadhi, në rast të zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, PD-ja në deklaratën e saj, Kryetari Lulzim Basha, ka lajmëruar protesta.  Ju a do t’i bashkoheni në frontin opozitar, protestave?

Kryemadhi: Patjetër që do t’i bashkohemi, sepse nuk jemi në ndonjë situatë ku Shqipëria po lulëzon. Pavarësisht se shqiptarët kanë filluar të kenë frikë si në kohën e komunizmit për të thënë të vërtetën, se çfarë mendojnë dhe kjo duket shumë qartë, pavarësisht se uzurpimi i medieve, i editorialeve mediatike nga qeveria për të mos bërë këtë e atë ka qenë shumë i madh, nuk ka nevojë për ta diskutuar këtë gjë, do të shkojmë dhe drejt asaj.

Por ne nuk mund të shkojmë në protesta dhe t’i nxjerrim njerëzit në rrugë nëse nuk i bindim njerëzit se nuk i kemi zhvilluar të gjitha etapat që kemi ndjekur të gjitha rrugët ligjore për t’u treguar se problemi nuk është opozita.

Ne mund të kemi probleme si opozitë, por kjo nuk do të thotë se ti mund të më heqësh të drejtën të protestës, se as sheshet, as rrugët nuk janë të Edi Ramës, janë të shqiptarëve dhe janë më të bukura madje kur janë me protesta.