AKTUALITET, 13 Dhjetor 2017, 11:41

Lulzim Basha për kryeprokurorin: I them JO ftesës së Ramës për pazar politik

Lulzim Basha për kryeprokurorin: I them JO ftesës së Ramës

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli sot nga selia e kësaj partie, për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm, proces të cilin ai e konsideron anti-kushtetues. Basha bëri një përmbledhje të argumentave të Partisë Demokratike, se përse po shkelet kushtetuta.

"Kemi krizë të dhunimit flagrant të Kushtetutës dhe bllokimit të reformës në drejtësi. Kuvendi duhet të merret me zgjidhjen e kësaj krizë dhe jo me arnime të kushtetutës. Cilat ishin qëllimet e reformës në drejtësi? Pastrimi i drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar përmes vettingut. Pavarësia e drejtësisë nga politika. Ndalimi i emërimeve politike, për të krijuar institucione të pavarura nga politika. Këto dy parime, të ishin të paprekshme, të patjetërsueshme nga asnjë forcë politike, u sanksionuan qëllimisht në kushtetutë."

Basha bëri një interpretim të gjatë të Kushtetuës, dhe sipas tij ajo nuk lë asnjë hapësirë për prokuror tranzitor.

"Po sajohet një prokuror politik, pa vetting. KLP duhet të ishte krijuar 8 muaj më parë, vetëm KLP mund të marrë vendime që kanë të bëjnë me mandatin e prokurorit. Kuvendi ka vetëm një rol, të votojnë një nga tre kandidaturat që dërgon KLP, vetëm nëse merr 84 vota. Ka bllokim antikushtetues të KLP-së, që sjell pengimin e krijimit të SPAK, që bllokon krijimin e Byrosë së Hetimit. Ky është i vetmi ligj që PD votoi. "

I pyetur nga gazetarët se cili do të jetë hapi i rradhës i PD-së, për kontestimin e këtij procesi, Basha u shpreh se PD do të ketë një aksion politik dhe do të ndërmarrë hapa institucionalë.

"Një mandat i siguruar në shkelje të kushtetues është nul. Ky është fillimi i një rruge anti kushtetueshmërie. Do të ndërmarrin cdo hap të nevojshëm. Do të denoncojmë, do të protestojmë. Përtej aksionit politik, është dhunuar kushtetuta."

I pyetur nëse do të pranojë të ulet në tryezë me Edi Ramën, Basha u shpreh se nuk ka asnjë mundësi për pazar politik.

"Nuk jam dakord me pazarin politik, me ftesën drejtuar PD-së për të shkelur Kushtetutën. Kjo ftesë ka një JO të prerë. I bëj thirrje Edi Ramës të ndalë procesin anti-kushtetues."

/TPZ.AL/