TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Qeveria shqiptare ka marrë vendimin që puna në administratë të kombinohet mes zyrës dhe shtëpisë, për shkak të pandemisë të koronavirusit. Shkëputje nga zyra për 3 muaj për ata që preken nga Covid-19, punë me grafik në shtëpi dhe leje të punojnë jashtë zyrës deri në korrik, për ata që kanë fëmijët në shkollë.
Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave. “Për institucionet e administratës shtetërore, në raste të veçanta dhe për arsye objektive, orari ditor i punës mund të ndryshohet me urdhër të Kryeministrit, por jo për një periudhë më të gjatë se 3 muaj”, shkruhet në këtë vendim.
Telepuna
“Gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID–19: Institucionet janë të detyruara të realizojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet kombinimit të punës në ambientet e institucionit dhe telepunës (puna në distancë on-line), me qëllim respektimin e rregullave të distancimit social ndërmjet nëpunësve/punonjësve, të përcaktuara nga Instituti i Shëndetit Publik, bazuar në sipërfaqen e institucionit”, theksohet në këtë vendim.
“Institucionet duhet të përcaktojnë në mënyrë të detajuar dhe të qartë grafikun e nëpunësve/punonjësve që do të punojnë në ambientet e institucionit dhe të atyre që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës. Grafiku duhet të miratohet nga Sekretari i Përgjithshëm/titullari i institucionit; Në përcaktimin e nëpunësve/punonjësve që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës, institucionet duhet të bazohen në: vlerësimin e llojit të detyrave që ushtrojnë nëpunësit/punonjësit; evidentimin e rasteve të nëpunësve/punonjësve me patologji të ndryshme, të cilët janë më të rrezikuar në rast infektimi nga COVID-19; evidentimin e nëpunësve/punonjësve që kanë në kujdestari ligjore fëmijë deri në moshën 14-vjeç”.
Leje për fëmijët
Sipas vendimit, për rastet e parashikuara, përpara miratimit të grafikut, institucionet duhet të konsultohen me nëpunësit/punonjësit, me qëllim që të mundësohet realizimi i detyrave.
“Puna nëpërmjet telepunës ka të njëjtën kohëzgjatje kohore si edhe puna në ambientet e punës së institucionit”.
Jo vetëm kaq, por qeveria parashikon që nënpunësit që kanë fëmijë në shkollë ta fitojnë të drejtën të punojnë nga shtëpia deri në korrik 2021.
“Për periudhën e kohëzgjatjes së vitit shkollor 2020–2021, orari i punës për nëpunësit/punonjësit e përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, që janë prindër apo kujdestarë ligjorë të fëmijëve që frekuentojnë/ndjekin arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, për ditët kur ata duhet të kryejnë detyrat në ambientet e institucionit sipas grafikut të miratuar, përcaktohet nga titullari i institucionit. Orari i punës për këta nëpunës/punonjës gjatë kësaj periudhe, përcaktohet në varësi të orarit që fëmija/fëmijët e tyre do të frekuentojnë mësimin”, shkruan vendimi, që u mundëson nëpunësve të punojnë nga shtëpia.
/TPZ.al/