AKTUALITET, 11 Nëntor 2020, 23:18

Macron: Anëtarësimi në BE? Ju e dini se sa e rreptë është Franca!

Franca mbetet e rreptë për çështjen e anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Presidenti francez Emanuel Macron, gjatë paraqitjes së tij online në Samitin e Sofjes, duke folur për perspektivën evropiane të rajonit, i mëshoi më tepër kryerjes së reformave, ndërsa vlerësimi do të bëhet sipas metodologjisë së re.

“Megjithëse të gjithë jemi të përqendruar fort në situatën me Covid-19, është thelbësore që të mirëmbahet dhe forcohet ky dialog shumë i rëndësishëm me Ballkanin Perëndimor: ai i përket gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht Evropës. Më lejoni ta bëj të qartë edhe një herë se Franca mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor – dhe unë do të doja të them disa fjalë për mënyrën se si ne gjithmonë e mbështesim atë konkretisht”, u shpreh Macron.

Metodologjia e re e pranimit në BE

Që nga fillimi i vitit, sipas presidentit francez, ka pasur disa zhvillime pozitive në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

“Së pari, vendet anëtare të BE-së morën dy vendime të rëndësishme në fund të marsit, në mes të valës së parë të pandemisë: Ramë dakord për një metodologji të re që e bën procesin e zgjerimit më të besueshëm dhe më efikas dhe vendosëm të hapim negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Bëhet fjalë për një perspektivë të hapur dhe ju e dini se sa e rreptë është Franca për këtë çështje, që njëkohësisht nënkupton një marrëdhënie të ndershme midis njëri-tjetrit dhe popujve”, deklaroi Macron.

Metodologjia e re e bën të mundur pezullimin ose kthimin në fillim të bisedimeve të pranimit, në rastet kur vendet kandidate nuk përparojnë në asnjë fushë. Me këtë metodologji, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë më shumë fuqi për të iniciuar pezullimin e negociatave të pranimit.

Dialogu Kosovë-Serbi

Si zhvillim të dytë pozitiv Macron e ka vlerësuar dakordimin e Serbisë dhe Kosovës, të cilët në korrik ranë dakord të rifillojnë dialogun që ishte pezulluar për 20 muaj. Mosmarrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës, sipas Macronit,  është një çështje e sigurisë evropiane, që do të thotë se është thelbësore që Bashkimi Evropian të drejtojë përpjekjet e ndërmjetësimit midis të dy palëve në mënyrë që të gjendet një zgjidhje përfundimtare e kësaj mosmarrëveshjeje.

Sipas tij Franca ka kontribuar në këto faza pozitive dhe do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, si në drejtim të përpjekjeve të reformës ashtu edhe në drejtim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve politike.

Macron deklaroi se presin që vendet e Ballkanit Perëndimor të dëshmojnë gjithashtu angazhimin e tyre në tri fusha: Të forcojnë bashkëpunimin mes tyre, të kryejnë reforma strukturore të sundimit të ligjit dhe të mbështesin BE-në në luftën kundër terrorizmit.

/TPZ.al/