AKTUALITET, 25 September 2026, 21:54

Pjesë e grupit që “mbyti” Europën me kokainë/ Eldi Dizdari do të ekstradohet nga Dubai në Belgjikë dhe do të vuajë 10 vite burg

Eldi Dizdari, i njohur edhe si Denis Matoshi, pritet të ekstradohet nga Dubai drejt Belgjikës, ku do të përballet me një dënim prej 10 vitesh burg për rolin e tij në aktivitetin e trafikut të drogës.

Sipas medias belge “Gazet van Antwerpen”, 37-vjeçari është dënuar nga gjykata e Anversës për përfshirjen e tij në aktivitetet e trafikut të drogës dhe është konsideruar si një prej figurave kryesore të organizatës kriminale “Kompania Bello”.

Dizdari njihet gjithashtu me pseudonimet “Shqiptari i gjatë” dhe “Alduth”. Pas ekstradimit në Belgjikë, ai do të përballet me vendimin e dhënë nga gjykata e Anversës.

Grupi ku bënte pjesë Dizdari dhe Dritan Gjika është goditur nga SPAK, pasi dyshohet se ka transportuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Në vitin 2020, kur Prokuroria e Posaçme nisi hetimin pasuror ndaj tij, sipas të dhënave të bëra publike, u mësua se Dizdari kishte përfituar një tokë me sipërfaqe 500 metra katrorë si dhuratë nga Qefsere e Eqerem Grori dhe Osman Dervishi.

Prona ndodhej në një prej zonave më të shtrenjta të Tiranës, në rrugën “Dervish Hima”, pranë stadiumit “Air Albania”.

Ekstradimi i Dizdarit drejt Belgjikës pritet të hapë një tjetër kapitull në përballjen e tij me drejtësinë belge, pas vendimit të gjykatës së Anversës për dënimin me 10 vite burg.