AKTUALITET, 25 September 2026, 14:14

Skandalet, Këlliçi: Kanë rënë të gjitha kolonat e shtetit, Rama duhet të japë dorëheqjen!

Skandalet, Këlliçi: Kanë rënë të gjitha kolonat

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka kërkuar përgjegjësi politike nga kryeministri Edi Rama, duke deklaruar se ai nuk mund të pretendojë se nuk ka pasur dijeni për zhvillimet dhe skandalet që kanë prekur institucionet shtetërore. Gjatë një interviste në News24, Këlliçi tha se përgjegjësia për situatën nuk mund të kufizohet te individët që janë aktualisht nën hetim.

“Këtë pyetje duhet t’ia bëjmë SPAK-ut ne. Tani këtu lind ajo pyetja e SPAK-ut dhe këtu lind ajo kontradikta e madhe që kemi nëpër studio televizive, që kemi nëpër debate, që kemi në publik, që kemi në parlament, që thonë: ‘Pse është opozita, pse godet opozita SPAK-un?’ Jo, ne nuk godasim SPAK-un. Por ne gjatë gjithë kohës kemi treguar aktet kriminale, kemi treguar faktet, kemi drejtuar gishtin ndaj personave përgjegjës. Për fatin tonë të keq si vend, janë faktuar të gjitha akuzat e opozitës. Unë do të doja që ne të kishim gabuar. Unë do të doja që ne të kishim pasur një qeverisje që nuk i vjedh qytetarët shqiptarë. Do të doja që të mos kishim pasur inceneratorë, do të doja që të mos kishim pasur 5D. Do të doja që tuneli i Llogarasë të ishte bërë me çmimin fillestar, të mos i kishte vjedhur Belinda Balluku me Edi Ramën 50 milionë euro, por të gjitha akuzat tona janë faktuar.

Ditën që zonja Hyseni ka marrë detyrën, publikisht Partia Demokratike e ka denoncuar si një lidhje me grupet kriminale dhe me Ergys Agasin dhe kjo ka ndodhur tre vite e gjysmë më parë. Tani pse do të duhej t’u harxhonin tre vite e gjysmë kohë dhe t’u humbisnin nga koha e shqiptarëve për të arritur në ato përfundime që ne i kemi denoncuar me qindra e qindra herë në parlament, në media e kudo? Dhe personi që i ka nxjerrë nga anonimati këta njerëz, personi që e ka marrë me dorën e tij Belinda Ballukun, qoftë në bashki, qoftë te ANTA, qoftë në ministri dhe qoftë zëvendëskryeministre, është Edi Rama. Personi që ka bërë Erion Veliajn kryetar bashkie është Edi Rama. Personi që ka lidhjen e drejtpërdrejtë me Ergys Agasin dhe që Arben Ahmetaj për herë të parë, para dy vitesh e gjysmë, tha se është koordinatori i grupeve kriminale për llogari të Edi Ramës, jo për llogari personale, është Edi Rama.

 

Personi që flitet se edhe në përgjimet, edhe në ambientet private të zotit Agasi, komunikon me gjyqtarë, me prokurorë, me biznesmenë, me politikanë, nga telefoni i këtij të fundit me video-call, është Edi Rama. Nuk është askush tjetër. Kështu që unë nuk di se çfarë duhet të ndodhë më në një republikë ku kanë rënë të gjitha kolonat e shtetit që mbajnë në këmbë shtetin, ku siguria e çdo qytetari të vendit, përveç se tregtohen në treg të dhënat personale etj., etj., ka rënë, kryeministri të reflektojë dhe të japë dorëheqjen.”, tha ai.

Ola Bruko e pyeti më tej nëse, sipas këtij qëndrimi, mund të ketë vijim normal të jetës politike dhe parlamentare. “Jo, jo, po as jetë politike normale. Për sa kohë Edi Rama nuk pranon atë çka është e vërtetë dhe nuk jep dorëheqjen, Edi Rama nuk mund të vazhdojë më të jetë kryeministër i këtij vendi dhe ky është një qëndrim i prerë dhe taksativ i Partisë Demokratike dhe i opozitës.”.
Ai tha se përgjegjësia politike, sipas tij, duhet të shkojë deri te kryeministri.

“Në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me aferë korruptive. Një sekondë të flasim, dhe prandaj debati në parlament dje ka qenë shumë i rëndë. Po ne kemi të bëjmë me rënien e shtetit. Kanë rënë kolonat e shtetit. Në momentin që të bie Policia e Shtetit, të del drejtori i Policisë së Shtetit, njeri që i raporton krimit të organizuar dhe bandave. Në momentin që bie drejtorja e Shërbimit Informativ Shtetëror, personi që garanton sigurinë e të dhënave të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe garanton sigurinë e atdheut, e kanë edhe në faqe ata, kjo që duhet të garantonte sigurinë e atdheut. Në momentin që ty të bie siguria kibernetike e vendit, të bie AKSHI dhe është trajtuar zyrtarisht tashmë si një strukturë që është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Në momentin që do të bjerë shumë shpejt edhe Kadastra, dhe po e paralajmëroj këtu te ju, sepse do të dalë se çfarë është bërë edhe në Kadastër… Në momentin që në zyrën e këtij individi, kjo është në kuadrin e hetimeve që po zhvillohen, në kuadrin e gjithë atyre të dhënave dhe informacioneve që ne i dimë, që të gjithë i dinë, këto shkelje i kemi thënë në media, i kemi denoncuar dhe, për fat të keq, do të duhen vite derisa Prokuroria e Posaçme të ngrejë zyrtarisht akuzë dhe të nxjerrë një masë sigurie për zyrtarët në fjalë. Do ta shihni në ditët në vijim, por unë dua të mbetem te thelbi. Në momentin që kanë rënë gjithë shtyllat dhe kolonat kryesore të shtetit, këtu kemi të bëjmë me një rrënim të shtetit shqiptar.” tha Këlliçi.

Belind Këlliçi ka folur edhe për protestat kundër qeverisë, duke deklaruar se Edi Rama nuk mund të vijojë të qeverisë përballë asaj që ai e konsideron një krizë të thellë institucionale.

“Nuk i ka vetëm për vjedhje, nuk i ka për abuzim, i ka për grup të strukturuar kriminal. Po e them dhe njëherë: ky individ vijon të pretendojë që nuk ka asnjë dijeni apo informacion për këto afera. Ky individ që pritet sot me protesta kudo. Keni parë videot e fundit, është pritur në New York duke e goditur me vezë para se të hynte në takime. Ky individ që kishte marrë me vete një shpurë kryetarësh bashkie, zyrtarësh e biznesmenësh nga Shqipëria për në Michigan për të bërë një takim me komunitetin, që i vendosi roje edhe qytetarëve shqiptarë që donin të merrnin pjesë në takim. Ky njeri që shoqërohet me dhjetëra roje kudo ku shkon. Ky njeri, kur të kthehet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, a prisni ju të ketë një tjetër reflektim dhe një tjetër artikulim publik?. Unë e kam thënë me dhjetëra herë para jush, edhe në studion tuaj e kam thënë gjithmonë që Edi Rama e di fare mirë se çfarë dëmesh i ka bërë këtij vendi.

Jo vetëm në aspektin e aferave korruptive, por kriminalizimi i ekonomisë, kriminalizimi i administratës publike, kriminalizimi i jetës shoqërore dhe politike në vend është dëmi më i madh që i ka bërë Edi Rama këtij vendi. Përveç parave që u ka vjedhur qytetarëve shqiptarë, Edi Rama është personi që me këtë projekt erdhi në pushtet në vitin 2013. Ola, mos harroni, propozoi Partia Demokratike një ligj në vitin 2014, që ka qenë ligji i dekriminalizimit. Por përse lindi nevoja për të pasur Shqipëria për herë të parë një ligj dekriminalizimi? Sepse ky individ mori persona me precedent penal, mori persona që akuzoheshin për vrasje, për përdhunim në grup, për plagosje, për vjedhje vilash, për shantazh, për rrëmbim personi. Dhe këta individë, me këto rekorde, ky i futi në parlament, i bëri deputetë, i bëri ministra, i bëri kryetarë bashkie, i bëri drejtorë të përgjithshëm të administratës dhe me këta individë ky mori pushtetin në vitin 2013 dhe me këta vijon të qeverisë. Dhe tani ky projekt i Edi Ramës nuk i ka dhënë shenjat sot. Projekti i ka dhënë shenjat që në vitin 2013, që Shqipëria mund të rrezikonte të rrëshqiste në këtë situatë dhe, për fatin tonë të keq, jemi para kësaj situate. Një individi që i kanë rënë dy zëvendëskryeministra, një individi që i arrestohen deputetë, i arrestohen drejtues bashkie, kryetarë bashkie.

Një individi që ka marrë peng Tiranën. Ka marrë peng Tiranën. Tirana ka dy vite, nuk ka kryetar bashkie, se refuzon Erion Veliaj të japë dorëheqjen, sepse është në konflikt me Edi Ramën. E di i madh e i vogël konfliktin që kanë dhe arrestimin që e ka bërë po ky individ. Unë jam i njëjti individ që kam protestuar 44 javë para Bashkisë së Tiranës dhe që ditën e parë që është arrestuar Veliaj kam dalë publikisht, kam thënë: e ka arrestuar Edi Rama për llogaritë e tij politike brenda PS-së. Dhe këtë e kam thënë me bindje absolute, për shkak se, po të shihni edhe aferat për të cilat akuzohet Erion Veliaj, nuk akuzohet për asnjë nga aferat e rënda korruptive që i ka shkaktuar kryeqytetit. As për inceneratorët, as për 5D, as për vjedhjen me Eco Tirana-n, as për vjedhjen me lejet e ndërtimit, por akuzohet për një aferë personale, për shpenzime familjare, për të vetmen aferë, në fakt, që ai nuk lidhet me Edi Ramën. Sepse në të gjitha aferat e tjera është Edi Rama në krye, është Edi Rama porositësi, është Edi Rama aprovuesi i aferave. Se sa lekë pastaj ka shpenzuar ky privatisht për të blerë fustane e për të blerë rroba, e ka harxhuar 1 milion euro për shpenzime familjare, aty s’ia ka fajin Edi Rama.”, pohoi ai.