AKTUALITET, 19 Nëntor 2020, 22:54

Rama fshihet pas Komitetit për Covid, mbron statistikat

Rama fshihet pas Komitetit për Covid, mbron statistikat

Kryeministri Edi Rama, në emisionin Real Story,  deklaroi se shifrat e Covid që ofrohen janë të sakta, ndërsa interpretimin e tyre e bën Komitetit i Ekspertëve.

“Nuk është puna interpretimi i shifrave. Po flas për kritere që ndërtohet statistika. Janë spekulime të gjitha të tjerat. E them me bindje që pavarësisht se çfarë shohim në media. Përgjithësisht ruhen rregullat. Kjo është një luftë shumë më e madhe se partitë tona, dhe mendja e secilit. Prandaj është shumë e rëndësishme që t’i shmangemi pjesëve që ushqehen nga gjysmë të vërteta. Unë jam kryeministër, s’jam specialist dhe as anëtar i komitetit shkencor. Nuk është largim nga përgjegjësia. I dëgjoj me vëmendje, lexoj ça bëjnë të tjerët dhe përpiqem të jem besnik i atyre që më mësojnë. Nuk kam ide si për ekonominë, turizmin apo artin. Në fund të ditës bilanci ka rëndësi”.

Referuar akuzave se nuk raportohen shifrat e sakta të viktimave dhe infektimeve nga koronavirusi, kryeministri deklaroi se kjo nuk është diçka që i përket qeverisë.

“Për fat të keq ka jo pak njerëz që flasin në hava dhe që merren me gjysmëinformacione e gjysmë të vërteta gjatë gjithë kohës. E rëndësishme të theksohet është se qeveria nuk bën asgjë tjetër, veçse dëgjon me vëmendje ata që kanë mandatin shtetëror për të dëgjuar dhe nuk janë gazetarët, gjithollogët, por janë ekspertët e Komitetit Teknik dhe mbështet të gjitha orientimet e tyre. Statistikat nuk i prodhon qeveria. Këtu jetojmë në një kohë shumë të keqe për t’u përballur me këtë mortje, se jetojmë në kohën kur faktet duhet të bëjnë luftë të madhe për të mbijetuar përballë shpifjeve. Ne nuk jemi asgjëkund në asnjë të dhënë më keq se sa e gjithë bota.

Mund të ishim dhe më keq se sa jemi, por fatmirësisht kjo nuk ka ndodhur, pasi janë bërë gjërat e duhura dhe janë hedhur hapat e duhur në këtë proces të vështirë, që ka sfiduar gjithë botën. Faktikisht, kur Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Greqia, gjenden në prag të kolapsit të spitaleve, është e pakuptueshme se si mund të diskutohet në Shqipëri, a thua se kjo e keqe po i ndodh vetëm Shqipërisë dhe se njerëzit po vdesin vetëm këtu. Numri i vdekjeve në Shqipëri është për fat të mirë është ku e ku më i ulët se në vendet që përmenda më lart dhe është nën mesataren e vet rajonit”, u shpreh Rama.

Pyetjes se si ka mundësi që ne që kemi një shërbim më vurnerabël shëndetësor paskemi më pak viktima e infektime, Rama iu përgjigj:

“Kjo nuk është një çështje se sa i avancuar është sistemi spitalor, por është çështje e mbijetesës apo se si komunitete të caktuara reagojnë. E them me bindje se pavarësisht çfarë shohim, e vërteta është që ky popull nga momenti i mbylljes së parë e deri më sot, në përgjithësi, i ka zbatuar ato rregulla të thjeshta që janë të domosdoshme. Është krejtësisht e mundur që një autobus të jetë me më shumë njerëz, se sa duhet, por në tërësi nëse shohim linjat e autobusit në Tiranë, që kanë monitorim shumë intensiv, përgjithësisht i ruajnë rregullat. Në shkolla përgjithësisht ruhen rregullat, ashtu si dhe në ndërmarrje. Është shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë që kjo është një luftë shumë më e madhe se partitë tonë, se mendja apo dija e secilit, dhe rezulton të jetë një luftë edhe më e madhe se vetë dija e SHBA, apo Gjermania, apo Franca. Prandaj është shumë e rëndësishme që në këtë luftë të bëjmë ç’është e mundur t’i shmangemi debatit publik, që ushqehet nga të pavërteta apo spekulime”.

Ndërkaq, kreu i opozitës, Basha akuzoi se "Autoritetet shtetërore kanë fshehur numrin real të viktimave nga COVID-19 në Shqipëri". Fakti tronditës është bërë publik nga kryetari i opozitës, Lulzim Basha, gjatë intervistës në emisionin Opinion në TV Klan.

Basha publikoi të dhënat zyrtare dhe ato reale, ku rezulton sipas tij, se që nga marsi e deri tani janë 414 raste fatale që janë mbajtur të fshehura. Sipas të dhënave të publikuara nga Basha, autoritetet kanë publikuar gjithsej për periudhën Mars-Tetor 2020, vetëm 509 raste fatale, ndërsa realisht janë 923 viktima nga COVID-19.(https://www.tpz.al/2020/11/19/akuza-e-rende-basha-nxjerr-listen-e-morgut-jane-fshehur-gjysma-e-viktimave-te-covid/)