AKTUALITET, 19 Nëntor 2020, 22:47

Akuza e rëndë/ Basha nxjerr listën e morgut: Janë fshehur gjysma e viktimave të Covid-19!


Autoritetet shtetërore kanë fshehur numrin real të viktimave nga COVID-19 në Shqipëri. Fakti tronditës është bërë publik nga kryetari i opozitës, Lulzim Basha, gjatë intervistës në emisionin Opinion në TV Klan.

Basha publikoi të dhënat zyrtare dhe ato reale, ku rezulton sipas tij, se që nga marsi e deri tani janë 414 raste fatale që janë mbajtur të fshehura. Sipas të dhënave të publikuara nga Basha, autoritetet kanë publikuar gjithsej për periudhën Mars-Tetor 2020, vetëm 509 raste fatale, ndërsa realisht janë 923 viktima nga COVID-19.

Situata edhe më e rëndë është gjatë muajit nëntor, që ende nuk është mbyllur. Në 17 ditët e para të muajit janë raportuar 128 viktima, ndërsa shifrat reale, sipas Bashës, tregojnë se numri i vdekjeve gjatë këtyre ditëve është më shumë se dyfish, plot 315 vdekje.

Data 9 nëntor rezulton si më tragjike sa i përket fataliteteve ku ministria e shëndetësisë ka raportuar numrin më të lartë të vdekjeve, 11, ndërsa shifrat reale sipas të dhënave të publikuar nga Basha, janë 26 viktima nga COVID-19.

Kjo akuzë mjaft e rëndë e bërë publike nga kryetari i opozitës, duhet të hetohet urgjentisht nga autoritetet e drejtësisë.