AKTUALITET, 27 Shkurt 2019, 12:08

Prapaskenat e përplasjes së protestuesve tre orë më Policinë, çfarë ndodhi në Parlament

Mijëra qytetarë dhe mbështetës të opozitës kanë protestuar dje përpara Parlamentit, duke kërkuar largimin e qeverisë.

protesta

 

Vendimi i maxhorancës në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të ndryshuar ditën e seancës plenare solli një reagim të shpejtë të opozitës, e cila kërkoi nga përkrahësit e saj dhe qytetarët të rrethonin Parlamentin.

Në orën 17:00, qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë rrethuan dy hyrjet e Parlamentit për të pamundësuar hyrjen e deputetëve të majtë. Më herët, forcat e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës kishin marrë të gjitha masat për të siguruar mbarëvajtjen e protestës, por edhe hyrjen e deputetëve në seancë.

Afrimi i deputetëve të PS-së pranë derës anësore të Parlamentit në krah të Akademisë së Shkencave solli edhe reagimin e qytetarëve, të cilët u përplasën edhe fizikisht me deputetin Paulin Stërkaj dhe ministrin e Mjedisit, Bledi Klosin. Pas këtyre episodeve, Garda e Republikës përdori një hyrje të veçantë brenda kalasë së Tiranës për të siguruar hyrjen e deputetëve në seancë.

PËRPLASJA

Mungesa e Kryeministrit Rama, i cili ndodhej në një takim në Lushnjë, revoltoi akoma më shumë protestuesit, të cilët me thirrjet “Rama ik” sulmuan me tymuese dhe kapsolla Parlamentin. Në hyrje të seancave plenare, para kordonit të Policisë protestuesit e opozitës dogjën edhe një gomë dhe pankarta.

Përballë sulmit nga qytetarët, Policia vendosi të bëjë thirrje nga godina e Parlamentit, ku kërkonte të ndaleshin veprimet e dhunshme, pasi do të përgjigjej sipas ligjit. Protestuesit u ndjenë të provokuar edhe nga vendimi i shumicës për të zhvilluar një seancë me procedurë normale dhe të tejzgjatur. Pasi kishin qëndruar mbi dy orë në protestë, qytetarët së bashku me deputetë të opozitës u drejtuan drejt sallës së Parlamentit, duke tentuar hyrjen në godinë. Forcat e Policisë bllokuan hyrjen e qytetarëve, ndërkohë që pas thyerjes së kordonit ishte Garda ajo që u vendos në rreshtin e parë.

Mes tensionit dhe përplasjeve, në drejtim të qytetarëve u hodhën në mënyrë të vazhdueshme bomba me gaz lotsjellës. Sasia e lartë e gazit të përdorur nga Policia e Shtetit dha efekt në shpërndarjen e protestuesve, por dhjetëra qytetarë shfaqën bllokime të forta në rrugën e frymëmarrjes dhe u dërguan për të marrë ndihmë të specializuar. Përfaqësuesit e opozitës akuzuan Policinë për helmin e hedhur ndaj qytetarëve, ndërkohë që këta të fundit sulmuan mjetin e shefit të Qarkullimit të Tiranës.

Kryetari i opozitës, përmes këngës “Eja mblidhuni këtu, këtu” kërkoi afrimin e qytetarëve, të cilët nga fuqia e madhe e gazit lotsjellës ishin larguar në drejtim të Rrugës së Elbasanit dhe qendrës tregtare “Toptani”. Kur deputetët e maxhorancës votuan dhe përfunduan seancën, protestuesit e opozitës pas 3 orësh vendosën mbylljen e protestës.

KLOSI E STËRKAJ SULMOHEN NGA PROTESTUESIT, DEPUTETI I PS: POLICËT, PA MJETE INTERVENIMI

Vendimi i deputetëve të PS-së për të hyrë në seancë, duke shpërfillur hyrjen e përcaktuar nga Garda solli edhe përplasje me protestuesit. Ministri i Mjedisit, Bledi Klosi, u përball me fyerje dhe shtyrje nga protestuesit në hyrje të Kuvendit. Klosi vendosi të afrohej pranë protestuesve, pavarësisht se më herët kolegia e tij Belinda Balluku ishte tërhequr dhe kishte refuzuar të futej në Parlament. E njëjta situatë ndodhi edhe kur hyrjes anësore të Parlamentit pranë Akademisë së Shkencave iu afrua deputeti socialist i Shkodrës, Paulin Stërkaj. Duke u kërkuar qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin dhunën, Stërkaj u shty nga disa prej protestuesve deri në momentin që iu ofrua ndihma nga forcat e rendit. Në përfundim të protestës, Stërkaj i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshajt, të mos vendoste në kordonin e Policisë efektivë pa mjetet e nevojshme. “I bëj thirrje ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Policisë, që Policinë të mos ma nxjerrin pa mjete intervenimi. Jo policë me uniformë policie përballë protestuesve, por policët të jenë të veshur me të gjitha pajisjet e sulmit të turmave, që destabilizojnë vendin”, tha Stërkaj.

GAzilotsjelles-protesta-ikja-vra-parlamenti (6)GAzilotsjelles-protesta-ikja-vra-parlamenti (5)GAzilotsjelles-protesta-ikja-vra-parlamenti (4)GAzilotsjelles-protesta-ikja-vra-parlamenti (3)GAzilotsjelles-protesta-ikja-vra-parlamenti (2)GAzilotsjelles-protesta-ikja-vra-parlamenti (1)protesta-kuvendi-boti me ujeProtesta-tensionetwqgazi lotsjelles