AKTUALITET, 22 Nëntor 2017, 08:25

“Pastrimi” i Administratës Publike, ja si do të bëhet vlerësimi

“Pastrimi” i Administratës Publike, ja si do të bëhet

Administrata publike, ashtu sikundër është paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, do t’i nënshtrohet një testimi të përgjithshëm.

Zbardhen disa nga rregullat se si do të organizohet ky testim, si do të vlerësohen punonjësit e administratës dhe para kujt do të përgjigjen.

Sistemi i vlerësimit të punonjësve të administratës publike bazohet në testimin me shkrim, i cili ka 70 pikë si dhe në intervistën me gojë, e cila ka 30 pikë.

Testimi do të realizohet nga një komision, i cili përbëhet nga pesë anëtarë, dy ekspertë të fushës, një përfaqësues nga DAP-i, një përfaqësues nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike dhe një anëtar nga Trupa e Nëpunësve Civilë të Nivelit të Lartë Drejtues. Për vlerësimin e rezultateve për secilin punonjës, secili prej anëtarëve jep pikët e tij.

Në përfundim, pikët mblidhen dhe më pas nxirret mesatarja e përgjithshme, e cila përbën edhe vlerësimin përfundimtar të kandidatit. Komisioni brenda 2 ditëve nga përfundimi i procedurës së vlerësimit, duhet të shpallë rezultatet. Punonjësi që merr 90 - 100 pikë vlerësohet me “shumë mirë”, 70 - 89 pikë “mirë”, 51 - 69 pikë “kënaqshëm” dhe 0 - 50 pikë “jo kënaqshëm”.

Do të ndëshkohen të gjithë punonjësit, që kanë marrë më pak se 50 pikë në testim, pra që janë vlerësuar “jokënaqshëm”.

Për ta thuhet se do t’u jepet edhe një mundësi e dytë për të mbajtur vendin e punës.  Ata mund të ndjekin trajnimin pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë.

Testimi i dytë i punonjësve që janë konsideruar jo të përshtatshëm dhe që i janë nënshtruar trajnimit, bëhet sipas vendimit për vlerësimin e rezultateve në punë. Vlerësimi i rezultateve në punë ka të bëjë me vlerësimin e realizimit të objektivave dhe vlerësimin e sjelljes profesionale. Vlerësimi i sjelljes profesionale ka të bëjë me vlerësimin e gabimeve/saktësisë në punën e kryer, realizimin në kohë të punës, kolegjialitetin e marrëdhënieve, gatishmërinë për punë në grup dhe shpeshtësinë se orëve të punës jashtë orarit.

TPZ.AL