AKTUALITET, 9 Gusht 2019, 17:44

Nderimet për “vllaun” Erdogan, shpërthen aktivistja: Kleçkë e lodra të Stambollit


Ndonëse aspirojmë të aderojmë në Bashkimin Evropian dhe rrekemi dita-ditës t’u përafrohemi vlerave të demokracive liberale dhe kulturës së perëndimit, nëse përshkojmë një trajektore panshqiptare, edhe në vendet e tjera të rajonit me popullsi bashkëkombase, do të vërejmë një përnderim anadollak të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Ky i fundit, përfaqëson më së mirë antipodin e qeverisjes demokratike, orientit në tërësi, me formën autoritare dhe arbitrare që ka shfaqur përgjatë përvojës së tij politike në pushtetmbajtje.

Pas lajmit se në parkun e Liqenit, Bashkia e Tiranës ka ngritur një monument përkujtimor në nder të 251 qytetarëve turq të vrarë gjatë grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016 (rast unik në botë), dikund mes shqiptarëve të përtej kufirit, i thuret një lloj ditirambi “vllaut” Erdogan. Bëhet fjalë për hapjen e një stadiumi në Komunën e Gostivarit, objekt që do të mbajë emrin e kreut të shtetit turk, i cili afërmendsh, do të lakohet tashmë edhe në çdo përballje sportive.

Ceremonia solemne e çeljes së stadiumit u pasua nga reagime të shumta në lidhje me emërtesën e mbartur. Aktivistja e njohur Elida Jorgoni, në një shkrim të publikuar në llogarinë e saj personale në rrjetet sociale, ka zgjedhur vargjet e Kadaresë për të shprehur indinjatën lidhur me ngjarjen në fjalë.

Postimi i plotë

Në Gostivar u hap stadiumi i emëruar: “Recep Tayyip Erdoğan”

Filozofia e robërisë, Ismail Kadare.

“I duroni vet armiqtë:

Prisni vdekjen apo vdiqte?

Shërbëtorë t’Anadollit,

Kleçkë e lodra të Stambollit”