AKTUALITET, 10 November 2026, 12:13

Emrat/ Fraksioni i dosjes Veliaj, mbyllen kundërshtimet e të pandehurve, më 25 nëntor shpallet dënimi! SPAK kërkon burg për Abulen

Emrat/ Fraksioni i dosjes Veliaj, mbyllen kundërshtimet e të

Janë mbyllur kundërshtimet e të pandehurve dhe avokatëve të tyre në dosjen e ndarë “Veliaj”, që po gjykohet me procedurë të shkurtuar. Gjykata e Posaçme pritet të shpallë vendimin përfundimtar më 25 nëntor pasi dëgjoi palët.

Në pretencën e saj, SPAK kërkoi dënimin me 7 vite burg për biznesmenin Elman Abule, që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 4 vite e 8 muaj heqje lirie. Ky është i vetmi rast për të cilin prokuroria kërkoi dënim me burg.

Për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka u kërkua një gjobë prej 600 mijë lekësh, ndërsa për Ina Goxhajn dhe Fatjon Baçin shërbim prove. Për biznesmenin Fatmir Bektashi u kërkua punë në interes publik, ndërsa për Frosina Bollon shërbim prove dhe për Flutura Xhanin një gjobë prej 40 mijë lekësh.

Nga ana tjetër, Adela Kondakçiu përjashtohet nga dënimi, pasi përfitoi statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë.

SPAK kërkoi gjithashtu gjoba për tre shoqëri të përfshira në dosje: 18 milionë lekë për Ramental, 800 mijë lekë për Kontakt dhe 500 mijë lekë për organizatën Frobolus.

Pas përfundimit të pretendimeve të palëve, tashmë fjala i takon gjykatës, e cila më 25 nëntor do të vendosë për fatin penal të të pandehurve në këtë proces të ndarë të dosjes “Veliaj”. Ndërkohë, Erion Veliaj, Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë vijojnë të gjykohen me procedurë të zakonshme.

Elman Abule – 7 vite burg, që me gjykim të shkurtuar ulet në 4 vite e 8 muaj burg.
Klotilda Bushka – 600 mijë lekë gjobë
Ina Goxhaj – Shërbim prove
Fatmir Bektashi Punë në interes publik.
Fatjon Baçi – Shërbim prove.
Flutura Xhani – 40 mijë lekë gjobë
Frosina Bollo – Shërbim prove
Adela Kondakçiu – Përjashtim nga vuajtja e dënimit
Për kompanitë:
Rametal sh.p.k. – 18 milionë lekë gjobë 
Kontakt sh.p.k. – 800 mijë lekë gjobë
OJF Frobolus –  500 mijë lekë gjobë