AKTUALITET, 27 Shkurt 2019, 12:28

Napoli ofertë marramendëse për Icardin

Napoli ofertë marramendëse për Icardin

Napoli i ka bërë një ofertë mjaft mbresëlënëse Mauro Icardit, për ta bindur argjentinasin të transferohet te ata.

E ardhmja e 26-vjeçarit me Interin është vënë në dyshim gjatë kohës së fundit, pas dështimit të negociatave për rinovimin e kontratës, si dhe vendimit të klubit për t’ia marrë shiritin e kapitenit.

Sipas Tuttomercato, Napoli ia ka ofruar një kontratë mjaft tunduese Icardit. Sipas kësaj kontratë, Icardi do t’i fitonte nëntë milionë euro me klubin e ri, si dhe dy milionë euro të tjera mund t’i fitojë përmes bonuseve.

Nëse Icardi e pranon këtë ofertë, dhe refuzon ofertat e klubeve të tjera të mëdha të interesuara për të, atëherë ai do të bëhej lojtari i dytë me pagën më të lartë në Serie A, pas Cristiano Ronaldos.

Megjithatë, BeIN Sports shkruan se zikaltrit dëshirojnë ta shesin ish-kapitenin e tyre te Juventusi. “Zonja e Vjetër” e kishte shprehur interesimin për argjentinasin edhe më herët, pasi i kishte bërë ofertë gjatë verës së kaluar, para se të blinin Ronaldon.

Kontrata e Icardit me Interin është e vlefshme deri në vitin 2021, mirëpo në këtë kontratë gjendet një klauzolë për shkëputjen e kontratës, sipas së cilës klubet jashtë Italisë mund ta blejnë Icardin për 110 milionë euro, nga 1 deri më 15 korrik.