TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Çmimi i naftës dhe benzinës në tregun vendas ka shënuar një rritje të ndjeshme, duke iu afruar niveleve rekord të regjistruara gjatë vitit 2022, në periudhën kur nisi agresioni rus në Ukrainë.
Sipas një vëzhgimi të Monitor, ditën e sotme në pikat me pakicë nafta është tregtuar me çmim 226 deri në 229 lekë për litër, nga 219 lekë për litër që ishte çmimi i mëparshëm. Kjo përfaqëson një rritje prej 7 deri në 10 lekësh për litër.
Shtrenjtimi është reflektuar edhe te benzina. Nga 205 lekë për litër që ishte çmimi i mëparshëm, sot ajo ka nisur të tregtohet me 216 deri në 219 lekë për litër, me një rritje prej 11 deri në 14 lekësh për litër.
Pas nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, duke u luhatur në nivelet 219-224 lekë për litër, nga rreth 175 lekë për litër para nisjes së konfliktit.
Megjithatë, kjo është rritja më e lartë e çmimit të karburanteve që prej vitit 2022, kur nisi agresioni rus në Ukrainë.
Në mars 2022, çmimi i naftës arriti nivelin rekord prej 265 lekësh për litër, por vetëm për një ditë. Ndërkohë, për disa ditë rresht, nafta u tregtua me 230 deri në 235 lekë për litër.
Rritja e çmimit të naftës në tregun vendas erdhi pas rritjes së menjëhershme të çmimeve në tregjet e huaja më 10 shtator.
Dy ditë më parë, nafta “Brent Crude” arriti në nivelet maksimale prej 110 dollarësh për fuçi, nga 100 dollarë që tregtohej më parë. Ditën e sotme, në bursa nafta po tregtohet me rreth 104 dollarë për fuçi.
Shtrenjtim i lartë është shënuar edhe te çmimi Platts, i cili përdoret si referencë për zhdoganimin e importeve.
Çmimi final i Platts arriti në 1,619 dollarë për ton, me një rritje prej 165 dollarësh për ton krahasuar me çmimin e mëparshëm. Më 10 shtator 2026, çmimi i naftës Platts HCIF arriti në 1,571.5 dollarë për ton, ndërsa së bashku me premiumin prej 30 dollarësh për ton dhe përllogaritjen përkatëse, çmimi final arrinte në rreth 1,619.13 dollarë për ton.
Rritja e menjëhershme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare është ndikuar nga situata e konfliktit në Jemen, e cila ka sjellë rënie të trafikut të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, ku transportohet rreth 20% e prodhimit botëror të naftës, si dhe nga vështirësitë e kalimit përmes Detit të Kuq.
Operatorët: Situata më e rëndë se kurrë, rrezikohet furnizimi global me naftë
Operatorët e tregut pohojnë se, me bllokimin e tubacionit kryesor në Arabinë Saudite dhe pengesat në Detin e Kuq nga Huthit, të hënën çmimet rrezikojnë të kapin nivele të papara në histori.
Sipas tyre, së bashku me situatën në Ukrainë, bëhet fjalë për një nga situatat më të rënda të regjistruara ndonjëherë. Ata paralajmërojnë se kjo mund të rrezikojë furnizimin e tregut, pasi prodhuesit globalë po bëjnë plane për të bllokuar totalisht eksportet, ndërsa gjatë këtyre shtatë muajve rezervat komerciale dhe strategjike kanë shkuar pranë zeros.
Operatorët shtojnë se në këtë situatë qeveria duhet të reflektojë seriozisht dhe të shohë realitetin, pasi kjo situatë nuk mund të zgjidhet me borde dhe as me ndërhyrje populiste përmes faqeve që publikojnë çmimet.
Sipas tyre, Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka marrë masa lehtësuese për uljen e barrës fiskale, e cila është ndër më të lartat në rajon. Përkundrazi, ata argumentojnë se shteti ka përfituar duke arkëtuar më shumë të ardhura në buxhet nga rritja e çmimit të naftës.