AKTUALITET, 12 September 2026, 11:33

Detajet/ Arratisja e të burgosurit shqiptar në Greqi, gjendet mes shkurreve një automjet i aksidentuar, dyshohet se u përdor nga bashkëpunëtorët

Policia greke ka lokalizuar pranë spitalit, mes kallamishteve, një automjet të aksidentuar, për të cilin dyshohet se është përdorur nga autorët gjatë arratisjes së të burgosurit shqiptar.

Sipas informacioneve të para, në përpjekje për t’u larguar nga zona, autorët kanë goditur diku me automjetin. Dyshohet gjithashtu se një prej tyre mund të jetë plagosur në kokë.

Brenda automjetit, policia ka gjetur një kallashnikov dhe municione. Specialistët kanë marrë mostra dhe materiale të ndryshme nga mjeti, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimit.

Automjeti konsiderohet si një nga dy mjetet që dyshohet se mund të jenë përdorur nga grupi gjatë arratisjes.

Ndërkohë, pak më herët, autoritetet greke lokalizuan edhe një tjetër automjet, i cili ishte djegur plotësisht në Vrasna, në Bashkinë e Volvit.

Policia po heton nëse edhe automjeti i djegur ka lidhje me të njëjtën ngjarje dhe me arratisjen e të dënuarit shqiptar.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet greke po përpiqen të rindërtojnë hap pas hapi itinerarin e ndjekur nga i arratisuri dhe bashkëpunëtorët e tij pas largimit nga spitali.

Zbulimi i automjeteve dhe i armës pritet t’u japë hetuesve të dhëna të reja për mënyrën se si është organizuar dhe realizuar arratisja.