AKTUALITET, 12 September 2026, 12:46

Durrës/ Kapet i armatosur në një apartament me qira, arrestohet nipi i ish-ministrit Lefter Koka

Një 30-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se qarkullonte i armatosur dhe mbante armë zjarri pa leje.

I arrestuari është Haki Koka, nipi i ish-ministrit Lefter Koka.

Sipas Policisë, 30-vjeçari është kapur në flagrancë në një apartament me qira në lagjen nr. 11 në Durrës. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në çantën e tij marsup është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, tip pistoletë, së bashku me municion luftarak.

Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, në apartament ndodhej edhe një 28-vjeçare.

E reja nuk është arrestuar, por është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ndërkohë, Haki Koka është vënë në pranga dhe materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.