TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

41-vjeçari Gentian Çipi, i cili u arratis mbrëmjen e djeshme nga një spital në Greqi gjatë shoqërimit nga autoritetet, rezulton person në kërkim edhe në Shqipëri.
Çipi është dënuar nga të trija shkallët e gjyqësorit shqiptar me 2 vite burg për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, por deri më tani nuk e ka shlyer dënimin.
Sipas burimeve, 41-vjeçari ka qëndruar në paraburgim nga data 25 prill 2023 deri më 12 korrik 2023. Më pas, masa e sigurimit “Arrest në burg” i është ndryshuar në “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Garancia pasurore”.
Ngjarja për të cilën Çipi është dënuar në Shqipëri lidhet me një rast të vitit 2023. Në këtë çështje rezulton i përfshirë edhe Romeo Basholli, i cili dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i tij.
Ndërkohë, emri i Gentian Çipit është shfaqur edhe në hetime të zhvilluara në Greqi.
Në vitin 2024, ai dyshohet se është përfshirë në një tentativë vrasjeje në Selanik, ndërsa në vitin 2025, gjatë operacionit për kapjen e tij dhe personave të tjerë, autoritetet greke sekuestruan sasi droge dhe armë.
Në këto zhvillime rezultojnë edhe Enea Basholli dhe Kleo Topa.
Arratisja e Gentian Çipit nga spitali në Serres ka vënë në lëvizje autoritetet greke, të cilat kanë nisur kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, të dhënat e reja për të kaluarën e tij gjyqësore në Shqipëri tregojnë se 41-vjeçari nuk ishte një person i panjohur për autoritetet shqiptare dhe rezultonte me një dënim të pashlyer prej 2 vitesh burg.