AKTUALITET, 3 Nëntor 2017, 11:13

LSI, apel të fortë ambasadorëve Lu e Vlahutin: Reagoni çfarë prisni?!

LSI, apel të fortë ambasadorëve Lu e Vlahutin: Reagoni

Ndërkohë që ministri i Brendshëm i Italisë ndodhet në një vizitë në Tiranë, LSI ka lëshuar një apel të fortë për ambasadorët e SHBA dhe BE, Lu e Vlahutin.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili u bën thirrje dy ambasadorëve që të reagojnë pasi reforma në Drejtësi, sipas tij është kapur nga “Rilindja”.

Në postimin e tij në “Facebook”, Vasili thekson se ligjet e reformës në drejtësi nuk po bëhen me ekspertë të pavarur sikundër ishte premtuar më herët nga qeveria.

“Lu dhe Vllahutin ç’prisni (?), reforma ne drejtësi u kap nga Rilindja, askush nuk beson më te ajo. Rilindja rrëzon përfundimisht reformën në drejtësi. Edhe shqiptari më i fundit nuk ka harruar se u garantuan publikisht nga ambasadorët Lu dhe Vllahutin, se ligjet e reformës ne drejtësi do t’i bënin ekspertët dhe do të vinin për miratim pa ndryshime në parlament. U vendos kështu, me qenë se ekspertët ishin të pavarur, të mbështetur nga Euralius, OPDAT dhe Komisioni i Venecias, që të mos lejohej politika që të kapte drejtësinë. Por, Rilindja e shkeli dhe e shtypi këtë parim. Tani ligjet e reformës i bën totalisht Rilindja, madje mbrëmë i ndryshoi totalisht edhe përmbajtjen edhe titullin ligjeve që ekspertët përgatitën; ashtu siç bënë edhe me vetingun dy javë më parë, ku i shkurtuan edhe njerëzit edhe paratë”, tha Vasili. /TPZ.al/