AKTUALITET, 3 Nëntor 2017, 10:17

Hije skandali në SHBA, Klinton u favorizua në garën e brendshme përballë Sandersit

Hije skandali në SHBA, Klinton u favorizua në garën e brendshme

Detaje të reja që hedhin dritë mbi prapaskenat e errëta të fushatës zgjedhore në SHBA kanë dalë së fundmi në sipërfaqe. Ish-kryetarja Partisë Demokratike Dona Brazile ka lëshuar akuza të forta në drejtim të ish-kandidates për presidente të SHBA-ve Hillari Klinton.

Ndër të tjera, Brazile shkruan në librin e saj të publikuar së fundmi se Komiteti Demokratik Kombëtar, DNC,  nënshkroi një marrëveshje me ekipin e Klintonit, në mënyrë që kjo e fundit të përfitonte fonde gjatë fushatës së 2016-s. Kësisoj Klinton ishte ndjeshëm më e favorizuar kundrejt kandidatit tjetër, Berni Sanders, i cili zotohej për një qeverisje të re që kishte në themel çrrënjosjen e politikave të mëhershme neoliberale të demokratëve, raporton BBC.

Kësodore, ish-Sekretares së Shtetit do t'i ofrohej qasje në kontrollin e të gjitha strategjive dhe financave të Komitetit Demokratik. Detyra e Komitetit Demokratik ishte që të mbante një qëndrim neutral në ballafaqimin mes Klintonit dhe kandidatit tjetër demokrat Sanders, gjatë primareve të ethshme për të fituar garën e brendshme në parti.

Asokohe ekipi që qëndronte pas fushatës së Sanders këmbëngulte në idenë se Komiteti Demokratik ishte angazhuar fuqishëm për ta ndalur rrugëtimin e tij drejt Shtëpisë së Bardhë. Por duhet theksuar gjithashtu fakti se edhe ekipi që drejtonte fushatën e Sanders në 2016-n nënshkroi gjithashtu një marrëveshje për të përfituar fonde nga DNC.

Revista e njohur “Politico” publikoi asokohe artikuj denoncues në të cilat ngrihej alarmi se  fushata e Hillarit kishte marrë mbështetjen e fuqishme të Komitetit, që nuk kursehej t'i ofronte  çdo muaj para për të garantuar mbulimin e aktiviteteve të saj me themelore.

Ndërsa raportime të tilla na vijnë nga Uashingtoni, ku demokracia e brendshme konsiderohet në nivele tejet të larta, a mund të besojmë në vërtetësinë e garës së brendshme në partitë politike shqiptare, ku rëndomtë kandidatët alternativë janë marioneta të farsës elektorale. /TPZ.al/