AKTUALITET, 3 Nëntor 2017, 10:41

Vuçiç në bisedime me kryeprokurorin e Hagës, ja qëndrimi për krimet e luftës

Vuçiç në bisedime me kryeprokurorin e Hagës, ja

Beogradi do të përkrahë bashkëpunimin dhe punën e prokurorëve për krime lufte në rajon, për të kontribuar kësisoj në stabilitetin dhe afrimin e popujve të ndarë mes tyre si pasojë e konflikteve të vjetra.

Të paktën kështu zotohet Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili e ka bërë këtë pohim përballë kryeprokurorit të Gjykatës së Hagës për krime të luftës.

“Në bisedimet Vuçiç-Bramertz është konstatuar se kryeprokurori i Tribunalit të Hagës është i kënaqur që Serbia ka plotësuar një pjesë të detyrimeve, ose thënë ndryshe ka ndërmarrë hapa në drejtim të plotësimit të tyre”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Serbisë.

Agjencia serbe e lajmeve “Beta” raporton se pas përfundimit të Prokurorisë së Gjykatës së Hagës, nëpërmjet punës së Prokurorisë së Mekanizmit të gjykatave ndërkombëtare penale, do të ruhet vijueshmëria në bashkëpunimin me Serbinë, në zbatimin e strategjisë kombëtare për procesin e dënimit të krimeve të luftës”.

Ndërkaq, në kumtesë vihet në dukje se “biseda mes presidentit Vuçiç dhe kryeprokurorit Brammertz ishte e hapur dhe konkrete”. Gjithashtu thuhet se “janë shtruar gjatë çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e Serbisë me Prokurorinë e Gjykatës së Hagës, bashkëpunimin rajonal në drejtësi dhe procesin e dënimit të krimeve të luftës në Serbi”. /TPZ.al/