TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, në një shkrim për Panorama, ka renditur disa nga arsyet se përse vendi po shkon në kolaps financiar. Spahiu shprehet se në Shqipëri ka rënë ndjeshëm fuqia prodhuese, dhe një nga shkaqet kryesore është paketa fiskale dhe klima e biznesit që lë për të dëshiruar.
Më poshtë statusi i Spahiut:
Ekonomia e vendit tonë vi jon të përpëlitet, me një fuqi prodhuese që po shuhet dita-ditës për shkak të burokracive, taksave, mungesës së mbështetjes financiare nga ana e qeverisë, si dhe korrupsionit në nivelet më të larta. Unë po marr vetëm një statistikë të ditëve të fundit, atë të Forumit Ekonomik Botëror, që e rendit Shqipërinë ndër 10 ekonomitë më të dobëta prodhuese në botë.
Sipas këtij Forumi, ekonomia shqiptare renditet e 91-ta nga 100 vende në total, duke lënë pas vetëm Zambian, Tanzaninë, Ganën, Ugandën dhe disa vende të tjera afrikane. Por çfarë ndodh tjetër? Edhe aq pak sa ne prodhojmë, nuk kemi mundësi për të nxjerrë produktet në vendet e rajonit apo të Bashkimit Europian. Raporti i fundit i INSTAT, tregon se vetëm 24 % e asaj që prodhon ekonomia shqiptare del jashtë, ku pjesën kryesore e zënë fasoneritë e tekstileve dhe këpucëve, që, në fakt, janë rieksporte, pasi kompanitë shqiptare realizojnë vetëm disa procese.
Po të vijojmë më tej. Kompanitë e huaja në Shqipëri, ato pak që kanë mbetur, kanë transferuar mbi 221 milionë euro fitime për 9 muajt e parë të 2017, niveli më i lartë dhe alarmant në 7 vitet e fundit. Pra, investitorët e huaj nuk e shohin vendin tonë si mundësi investimi për shkak të klimës së biznesit dhe kështu i dërgojnë paratë jashtë ose në kompanitë mëmë. Rasti më i fundit ishte largimi i Hotel Sheraton, që refuzoi të qëndronte në Shqipëri dhe të investonte më tej.
I gjithë ky vend i paralizuar, me fuqi prodhuese gati shteruese është produkt i një keqqeverisje që nuk ka bërë asnjë përpjekje minimale për të përmirësuar situatën ekonomike. Asnjë stimul, incentiv apo aksion ekonomik nuk është marrë nga qeveria për të lehtësuar klimën e biznesit, që prej vitit 2013 e deri tani. Për të zhvilluar një ekonomi prodhuese mjaftojnë vetëm 2-3 lehtësi fiskale, si ulja e TVSH-së së energjisë elektrike, heqja e akcizës së naftës për disa kompani prodhuese, ulja e taksave vendore, apo ofrimi i tokave shtetërore për investitorë strategjikë.
Këto ka propozuar që ditën e parë Lëvizja Socialiste për Integrim, që para zgjedhjeve të 2013-s. Madje, edhe në marrëveshjen për koalicionin bashkëqeverisës, LSI ka pasur kushte të qarta që të mbështeste sa më tepër biznesin. Kujtojmë këtu, ku me shumë këmbëngulje të fortë, LSI arriti të ulte tatim-fitimin në 10 % si dhe disa lehtësira doganore dhe fiskale për biznesin fason.
LSI kishte propozime konkrete edhe për Paketën Fiskale të vitit 2018, që nga ulja e TVSH për shportën e ushqimeve e deri tek lënia e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla deri në 5 milionë lekë. Por, nuk na dëgjuan! Efektet vijojnë të jenë negative, ku sipas të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve, në 2017-n u mbyllën 13 mijë biznese në total ose rreth 50 biznese në ditë.
Por edhe 2018 nisi keq, pasi janë mbyllur 247 subjekte në 6 ditë. Qeveria jonë është e famshme për koncesionet dhe për këtë do të kujtohet gjatë në mendjen e njerëzve, pasi koncesionet 15-20-vjeçare do të vijojnë të na përndjekin edhe pasi ky kryeministër të ikë nga pushteti. Por nëse në vendet e zhvilluara të botës, koncesionet shërbejnë për të stimuluar fuqinë prodhuese, në Shqipëri ato përdoren edhe për shërbime që mund t’i bëjë vetë shteti. Madje, jepen me afat mbi 10- vjeçar këto koncesione, pavarësisht se qeveria ka një mandat 4-vjeçar.
Le të rikthehemi tek investimet e huaja në Shqipëri, që, për hir së vërtetës, mund të quhen dështimi më i madh i kësaj qeverie dhe këtij kryeministri. Mungesa e konkurrueshmërisë së ndershme dhe tregut të lirë, vjen për shkak se qeveria i ka duart e lidhura nga disa biznese dhe biznesmenë të caktuar. Në zgjedhjet e 25 qershorit, miliona euro u derdhën nga një grup biznesmenësh për të sjellë rilindasit në pushtet, dhe si këmbim ata presin të rimarrin benefitet.
Një nga mënyrat sesi kompensohen këta biznesmenë nga qeveria, janë pengesat artificiale ndaj investitorëve të huaj për të hyrë në Shqipëri. Por ky është rasti më i “mirë” sesi i presim investitorët e huaj. Më herët, një investitor libanez u rrah barbarisht, duke u larguar bashkë me investimet i gjakosur nga vendi ynë. Ndryshe nga ne, Maqedonia i mirëpret investitorët e huaj dhe i ofron kushte nga më të favorshmet.
I ul taksat, i ofron zona të lira ekonomike, toka apo ambiente me çmime të papërfillshme dhe shumë benefite të tjera. Në Maqedoni ka kompani multinacionale si Johnson Matthey, me mbi 1.3 miliardë të euro të ardhura. Kjo kompani ka tentuar disa herë të hyjë në Shqipëri, por qeveria i ka kthyer kurrizin. Ne nuk jemi në gjendje të menaxhojmë dhe kontrollojmë as kompanitë që shfrytëzojnë barbarisht nëntokën tonë, vjedhin miliarda dhe zhduken pa lënë gjurmë.
ARMO është shembulli më i mirë i grabitjes së kësaj qeverie. Mbi 1300 naftëtarë janë sot të papunë, ndërsa qeveria tallet duke i orientuar në zyrat e punës. Nëse ARMO nuk rikthehet në punë, qyteti i Ballshit falimenton. Rreth 300 milionë lekë të vjetra, qarkullojnë çdo muaj në Ballsh vetëm nga naftëtarët dhe nëse ata do të vijojnë të jenë pa punë, fuqia blerëse do të bjerë, konsumi do të ulet ndjeshëm, bizneset e vogla do të mbyllen dhe praktikisht e vetmja zgjidhje do të jetë emigracioni. Shumëkush mund të pyesë, a jemi një vend ku nuk kemi para? Jo, absolutisht jo.
Qytetarët nuk kanë mundësi të ndjekin procedurat e tenderëve që pushtetarët bëjnë, që nga ministrat e deri te drejtorët e drejtorive. Aty gjen një barbarizëm në mënyrën sesi shpërdorohen fondet publike, tendera me garë të drejtpërdrejtë apo të paracaktuar për miqtë e tyre. Për 1 vit, Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi skandalin sesi zyrtarët shtetërorë i kishin shkaktuar mbi 860 milion euro dëm ekonomik buxhetit.
Nuk mund të harrohen fasadat e qendrave të qyteteve, që i kanë kushtuar mbi 500 milionë euro shqiptarëve. Bëhet fjalë për ato sheshe me kunja, palma, kënde abstrakte me ngjyra ylberi që Kryeministri duket sikur i ka ndërtuar për veten e tij, pasi sa i shikon të sjellin një pështjellim kur e krahason me realitetin e njerëzve të damkosur nga varfëria.
Në fund, qeveria të kthejë sytë nga rajoni, të shikojë investimet strategjike që përkrahen dhe të gjejë gabimin te vetja, se përse në Shqipëri nuk afrohet asnjë sipërmarrës. Nuk mjafton vetëm propaganda dhe fasada, nuk na duhen as takimet mes qeverive në rajon, por kemi nevojë ndërhyrje konkrete në ekonomi, për të qenë sa më atraktivë dhe jo pengues ndaj të huajve.