TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

8 qarqe në gjithë vendin do të përballen këtë fundjavë me rrezik të lartë nga zjarret, ndikuar kjo edhe nga temperaturat në rritje që pritet të kapin vlerat 39 gradë Celsius. Përmes publikimit të Buletinit të Rreziqeve, Instituti i Gjeoshkencave bën të ditur se situata më kritike paraqitet kryesisht në Ultërsirën Perëndimore, në qarqe si Lezha, Durrësi, Tirana, Elbasani, Fieri, Berati, Gjirokastra dhe Vlora. Megjithëse në qarkun e Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Korçës rreziku paraqitet në nivel më të ulët, në disa zona të lokalizuara të tyre pritet rrezik i lartë nga zjarret.
MALLAKASTER
Aktualisht, situata më alarmante nga flakët paraqitet në qarkun e Fierit, ku prej disa ditësh vijon të jetë aktiv zjarri në disa fshatra të Mallakastrës. Në fshatrat Riban, Ngraçan dhe Panahor zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe një shtrirje prej rreth 180 hektarësh, ku situata më kritike paraqitet në Panahor. Për rrjedhojë, për shuarjen e flakëve po operohet edhe nga ajri me helikopter, kurse në terren janë angazhuar 40 trupa të Forcave të Armatosura, 4 mjete zjarrfikëse dhe 55 zjarrfikës. Megjithatë, autoritetet thonë se flakët nuk paraqesin rrezik për banesat.
DAJT
Në Dajt vijon puna për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë masivin pyjor në Priskë dhe Çakallesh, ku sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile zjarri nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

LIBRAZHD
Në qarkun Elbasan prej disa ditësh vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatin Shqiponjë, në malin e Dardhës dhe në Mjekës. Autoritetet vendore bëjnë me dije se zjarri në Shqiponjë është në kontroll, ndërsa vatra në malin e Dardhës është izoluar. Po ashtu, nuk raportohet rrezik për komunitetin.
BERAT
Në Bashkinë e Beratit është rindezur zjarri në fshatin Kostren 2, ku zjarrfikësit vijonë punën për shuarjen e flakëve.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve në të gjithë vendin janë angazhuar 54 automjete zjarrfikëse dhe 502 forca operacionale, ndërsa në mbështetje janë angazhuar 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe avioni “Air Tractor” i Forcës Ajrore.