AKTUALITET, 7 Nëntor 2017, 18:34

Gjyqtarja që liroi Genc Tafilin ka qënë e proceduar nga KLD, për tu shkarkuar

Enkelejda Hoxha, Gjyqtarja e Krujës që dha vendimin për lirimin e Genc Tafilit është proceduar me vërejtje për largim nga detyra që në mbledhjen e 15 prillit të vitit 2014 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë i asaj kohe Nasip Naço ka kërkuar fillimisht shkarkimin e gjyqtares dhe largimin e saj nga trupa gjyqësore shqiptare, por në një mbledhje të zhvilluar me dyer të mbyllura u ndryshua kërkesa dhe u mor një vendim paralajmërues.

Sipas njoftimit për mediat të bërë publike atë kohë nga KLD-ja thuhet se “Mbledhja vijoi më pas, me shqyrtimin e masës disiplinore ndaj znj. Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, për të cilën Ministri i Drejtësisë kërkoi paraprakisht ndryshimin e propozimit fillestar nga “shkarkim nga detyra” në “vëretje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”. Pas diskutimeve, Këshilli vendosi të miratojë kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për masën disiplinore “Vëretje me paralajmërim për shkarkim nga detyra” për znj. Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë”.

Procesverbali i mbajtur nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me vendimin nr 46 datë 15.04.2014, bën të ditur se pas ankesës së një shtetasi për zvarritje në gjykim dhe verifikimit të rastit nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë  ka rezultuar me shkelje  të vazhdueshmë të ligjit, në punën e saj në veprimtarinë gjyqësore të gjyqtares E.H (Enkelejda Hoxha).

Pas sqarimeve proceduriale dhe dëgjesës së gjyqtares është marrë vendimi për paralajmërimin e saj për largim nga puna. Këshilli i Lartë i Drejtësisë konstaton se në rastin konkret, gjyqtarja E.H, ka vepruar në kundërshtim me vendimin unifikues nr.7, datë 14.10.2011, në marrjen e vendimit të ndërmjetëm të datës 21.09.2012, që në thelb të tij, ky vendim unifikues njëson praktikën mbi rregullat procedurale penale që lidhen me lirinë më themelore të individit, atë "për arrestin në burg". Veprimi i gjyqtares (trupës gjyqësore) duke mos e zbatuar atë ka pasur si pasojë zgjatjen në kohë, pa dhënë një vendim, ka cënuar lirinë personale të individit, garantuar kjo liri nga Kushtetuta e vendit dhe për rrjedhojë në të gjithë legjislacionin e brendshëm penal por edhe në ekzistencën dhe veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive vetjake. Nisur nga siguria dhe uniformiteti në interpretim që krijonjnë vendimet unifikuese, si dhe në rastin konkret, për të gjitha rastet e ngjashme për gjykatat e tjera, mosrespektimi i vendimit unifikues nga gjyqtare E.H, trupa gjyqësore, ka krijuar pabarazi në të drejta, ndaj një qytetari të Republikës”.

Gjyqtarja Enkelejda Hoxha në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi, sipas debateve dhe vendimit të KLD-së ka vënë në diskutim vendimin unifikues nr.7, datë 14.10.2011, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së lartë. Pra me pak fjalë gjyqtarja në fjalë ka marrë rolin e trupës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese duke interpretuar një vendim të një Gjykate sipërore.

Sipas vendimit përfundimtar të KLD-së veprimet e gjyqtares Enkelejda Hoxha kanë diskretituar rëndë figurën e gjyqtarit. “i) Shkelja procedurale e konstatuar për gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor xxx, E.H, përbën shkelje të rëndë të disiplinës, për moszbatim të vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë kur, këto vendime janë të detyrueshme.

ii) Sjellja e gjyqtares ka diskredituar rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit”.

Rasti në fjalë tregon edhe një herë se çfarë ndodh në sistemin tonë të drejtësisë ku gjyqtarët i japin vendimet e tyre në bazë të paragjykimeve dhe jo profesionalizmit, parave nën dorë dhe jo drejtësisë.

/TPZ.AL/ J.O