AKTUALITET, 7 Nëntor 2017, 13:24

Salianji/Më kërcënuan për të mos thënë të vërtetën  

Salianji/Më kërcënuan për të mos thënë

"Të fortët" e grupit parlamentar të mazhorancës kanë kërcënuar sërish sot në sallën e Kuvendit një kolegun e tyre. Ka qënë Pjerin Ndreu dhe Paulin Stërkaj që i kanë kujtuar deputetit të PD-së Ervin Salianji se mund “të hante dajak” nëse vazhdonte dhe më tej. “Rri more urtë se je bërë provokator i keq, rri more urtë nuk e shikon çfarë është bërë në të kaluarën”. Ky aludim duket se ka lidhje me goditjen që ish deputeti Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu i bënë deputetit demokrat Gent Strazimiri në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë.

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka dalë në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Komisionit të Sigurisë duke denoncuar kërcënuesit. “ Është fakt që Rama fle dhe zgjohet me krimin. Pjerin Ndreu më kërcënoi për të mos thënë të vërtetën mbi drogën”. Por sikundër iu përgjigj përball në komision Salianji bëri një deklaratë se nuk trembet nga kërcënimet e kolegëve të tij të majtë. “Nuk pyes dhe skam frikë nga asnjë bandit me ose pa pushtet”.- ka përfunduar Salianji duke aluduar për Pjerin Ndreun dhe Paulin Stërkajn.

Që kur plasi skandali Tahiri situata në komisionet parlamentare dhe sallën e seancave plenare ka qënë e ngarkuar me akuza dhe kundërakuza mes palëve. Opozita i ka bojkotuar komisionet parlamentare duke hedhur akuza për drogën dhe duke kërkuar arrestimin e Saimir Tahirit. Çdo fillim mbledhje është shoqëruar me pyetje vetëm për situatën e drogës dhe më pas deputetët demokrat i kanë bojkotuar punimet e komisioneve parlamentare.

TPZ.AL