AKTUALITET, 7 Nëntor 2017, 13:43

Rama sulmon sërish median dhe opozitën

Rama sulmon sërish median dhe opozitën

 

Kryeministri Edi Rama ka gjetur sërish pak kohë dhe rastin për të sulmuar median dhe opozitën. Nëpërmjet një reagimi në rrjetin social Facebook, Rama ka shpjeguar se pasqyrimi i situatës së krimit që po bëhet nga media dhe opozita janë një taktikë e këtyre të fundit për të penguar drejtësinë e re që po vjen. “Nga loja ziejnë kazanet e politikës e të medias që helmojnë pa pushim opinionin për hesape mizerabël, politike e financiare, por edhe për të penguar drejtësinë e re që po vjen”.

Kryeministri u shpreh më tej se lufta me krimin nuk është lojë politike mes qeverisë që lufton krimin e atyre që luajnë politikisht e mediatikisht me krimin për baltosjen e qeverisë.  “Prezantohet Operacioni Policor Forca e Ligjit dhe Task Forca Speciale e Policisë së Shtetit kundër Krimit të Organizuar, e cila do të asistohet në terrenin e kësaj faze të re të luftës me krimin, nga agjentë të FBI dhe të disa agjencive prestigjoze kundër krimit në Gjermani, Itali dhe Britaninë e Madhe – lufta me krimin nuk është lojë politike dhe mes qeverisë që lufton krimin e atyre që luajnë politikisht e mediatikisht me krimin për baltosjen e qeverisë, dallimi është i qartë: Nga lufta fiton Shqipëria dhe njerëzit e zakonshëm të saj”.

Kryeministri Rama duket nuk ka lexuar një tjetër intervistë të publikuar sot nga media të një tjetër ish oficeri të antidrogës Bledar Naçi, të cilin e kishte pritur dhe dekoruar në zyrën e tij 4 vjetë më parë. Bledar Naçi në intervistën e tij tregon qartë sesi në mënyrë të paligjshme është kërcënuar nga Habilajt të cilët përdornin makinën e Ministrit të Brendshëm të kohës Saimir Tahiri. Ky është aficeri i tretë i policisë që reagon publikisht për lidhjet e Tahirit me Habilajt, ndërsa Kryeministri sulmon këdo që shprehet në kundërshtim me deklaratat e tij mediatike se qeveria e ka fituar luftën me grupet kriminale.

 

TPZ.AL