AKTUALITET, 17 Shtator 2018, 21:02

E marin peng në mes të qytetit, rrahin e kanosin të riun. Kushërinjve u del plani jashtë kontrollit

E marin peng në mes të qytetit, rrahin e kanosin të riun.

Dyshonin se iu kishte vjedhur banesën, e marrin peng në makinë. Ngjarja ndodhi dje në Elbasan, kur një 25-vjeçar u mor nga tre persona forcërisht në mjetin e tyre dhe për disa momente ata e mbajtën duke e rrahur, kërcënuar dhe bërë presion të tregonte për vjedhjen e dyshuar prej tyre.

Pasi është lënë i lirë, i riu i është drejtuar Policisë, pasi siç edhe ka deklaruar, autorët e kanë kërcënuar se do të riktheheshin derisa ai t’u gjente materialet e vjedhura, përfshirë këtu edhe televizorin e shtëpisë, kompjuterin, bizhuteri si dhe materiale të tjera.

“Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit: Arben Raxha, 48 vjeç, Bekim Raxha, 21 vjeç, si dhe Erion Kaçuli, 18 vjeç, të tre banues në fshatin Griqan, Elbasan. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në lagjen “Emin Matraxhiu” Elbasan, për motive të dobëta, kanë marrë e kërcënuar në mjetin e tyre shtetasin A.S., 25 vjeç, banues në Elbasan.

Rreth dy javë më parë 48 vjeçarit Arben Raxha i kanë vjedhur banesën. Ky i fundit pretendon se njëri nga autorët është 25- vjeçari nga Elbasani”, bëri të ditur Policia. Nga hetimi rezulton se ai ka bërë plan me kushëririn e tij dhe bashkëfshatarin dhe të dielën paradite kanë mbërritur në qytet.

Pasi e kanë pikasur 25-vjeçarin, e kanë detyruar të hyjë me zor në mjetin e tyre dhe më pas e kanë kërcënuar të tregojë se kush ia ka vjedhur banesën. Pas kësaj dyshohet se edhe e kanë rrahur dhe më pas e kanë nxjerrë nga mjeti duke e kërcënuar sërish. Pasi ka dalë nga mjeti, i riu ka denoncuar menjëherë në Polici.

Kjo e fundit ka arrestuar tre autorët, ndërsa mësohet se materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”. Burime nga Policia bëjnë të ditur se tre të arrestuarit nuk kanë pranuar akuzën se e kanë kërcënuar dhe marrë peng 25-vjeçarin për më shumë se 15 minuta. Ata kanë deklaruar se thjesht e kanë pyetur për të gjetur autorët që i kanë vjedhur banesën.

“Nuk është e vërtetë që e kemi marrë forcërisht. Ne vetëm sa e kemi pyetur në lidhje me autorët, pasi na kanë vjedhur shtëpinë dhe kishim dyshime tek ai. E pyetëm dhe më pas ai është larguar pa asnjë pasojë nga ne”, janë shprehur në Polici tre të arrestuarit, dy prej të cilëve kushërinj me njëri-tjetrin.

PANORAMA