TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Institucioni i martesës ka hyrë në një krizë të thellë. Këtë e demonstron më së miri numri i lartë i kërkesave për divorc të paraqitura në gjykata, por edhe numri i madh i vendimeve të marra prej gjykatave. Nga një vëzhgim i statistikave në Gjykatën e Tiranës, më e madhja në vend, rezulton që gjatë 11 muajve të këtij viti të jenë regjistruar 1800 kërkesa për zgjidhje martese.
Por jo të gjitha çështjet janë përfunduar. Nga të dhënat del se është dhënë vendimi për ndarje për 876 çifte.
Ndërkohë për 541 të tjerë, Gjykata e Tiranës ka pushuar çështjen, për motive të ndryshme, që do të thotë se ato kanë të drejtë të përsërisin kërkesën për ndarje në një moment tjetër.
Nga i gjithë numri i kërkesave të shqyrtuara, vetëm një çift është pajtuar.
Mësojmë se ka një numër mjaft të madh çiftesh të reja, jo më shumë se 5 vjet të martuar, të cilët për mospërputhje karakteresh kërkojnë prishjen e martesës. “Pjesa më e madhe e tyre janë martuar pas një lidhjeje të gjatë, pse jo edhe bashkëjetese, dhe pas dy vitesh martese kërkojnë të ndahen.
Por cilat janë shkaqet e ndarjeve?
Mospërputhje karakteresh. Kjo është një nga më tipiket në vendimet e gjykatave, duke fshehur arsyet e vërteta të ndarjeve të tyre. Por nga praktika e gjykatave rezulton se shkaqet më të shumta janë: problemet ekonomike, mospërballja me problemet që vijnë pas ardhjes së një fëmije, mosardhja e një fëmijë pas një kohe të gjatë martese, ndërhyrjet e pjesëtarëve të tjerë të familjes, etj.
Pavarësisht vendimit të gjykatës, pasojat e prishjes së një martese disa vjeçare, rëndojnë tek fëmijët. Pothuaj të gjitha çiftet, janë me 1 deri në 2 fëmijë. Pas divorcit, mes tyre nis një “luftë”, për kujdestarinë. Në shumicën e rasteve gjykata i jep të drejtë nënës për mbajtjen e tyre, por nuk mungojnë edhe rastet, kur babai, shfrytëzon gjendjen ekonomike dhe faktorë të tjerë, për të mos lejuar nënën të jetë pranë fëmijëve.
TPZ.AL