AKTUALITET, 15 Tetor 2017, 21:21

Vakancat për pozicionet e Vetting-ut, Soros bën thirrje për aplikim

Reforma në drejtësi vijon të ngjallë sërish dyshime për mënyrën sesi po rekrutohen profesionistët dhe efektet që mund të japë në të ardhmen. Disa vende vakante kanë mbetur në pozicionet e Vetting-ut, për shkak të interesit të ulët dhe aplikimeve të pakta. Kështu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që përbëhet nga 11 anëtarë, ende nuk ka plotësuar pozicionet. Edhe pse ky institucion duhej krijuar 6 muaj nga votimi i reformës në drejtësi (22 korrik 2016), sot e kësaj dite ende nuk janë plotësuar vendet vakante.

Kuvendi i Shqipërisë, ka rishpallur thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit nga kandidatët e shoqërisë civile, për një vend në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Por përveç interesimit të kuvendit, është edhe Fondacioni Shoqëria për Shqipërinë e Hapur (Soros) që ka reaguar, duke bërë thirrje për aplikime.

Të forta kanë qënë akuzat ndaj kësaj OJF, për ndërhyrje në reformën në drejtësi nëpërmjet financimeve jo transparente. Edhe pse garant për reformën në drejtësi, kanë qënë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duket se roli i Fondacionit të filantropit George Soros, mban peshën kryesore të emërimeve në sistemin e drejtësisë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, është një nga institucionet kyçe në reformën në drejtësi. Ai ka këto përgjegjësi: emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon prokurorët e të gjitha niveleve; vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve; i propozon Kuvendit kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, sipas ligjit; miraton rregullat për etikën e prokurorëve dhe mbikëqyr respektimin e tyre; propozon dhe administron buxhetin e tij; informon publikun dhe Kuvendin mbi gjendjen e prokurorisë; ushtron funksione të tjera të caktuara me ligj.

Më poshtë njoftimi i Fondacionit të Soros:

Jeni të interesuar për të qenë anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ? Kuvendi i Shqipërisë ka rishpallur thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit nga kandidatët e shoqërisë civile.

Njoftohen anëtarët e organizatave të shoqërisë civile që janë të interesuar të kandidojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe që mendojnë se plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 152, pika 2, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, që brenda datës 19 tetor 2017, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Avokatit të Popullit.

Për më shumë lexoni njoftimin e mëposhtëm./TPZ.AL/