AKTUALITET, 7 Qershor 2022, 12:00

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, SPAK kërkon burg përjetë për Festim Bexhdilin

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, SPAK kërkon burg

Prokuroria e Posaçme SPAK ka kërkuar burgim të përjetshëm për Festim Bexhdilin, i akuzuar si një nga autorët e rrëmbimit të Jan Prengës, janarin e vitit 2020.

Ndërsa ka kërkuar dënimin me tre vite burg për të pandehurin tjetër, Olsi Turja, i akuzuar për “pengim të zbulimit të të vërtetës”.

Sipas dosjes së SPAK-ut, rrëmbimi i Jan Prengës është urdhëruar nga Ekuadori, nga shtetasi Dritan Rexhepi që ndodhet në burg atje dhe shtetasi Gentjan Funiqi, kjo për arsye se vëllai i viktimës u kishte vjedhur një sasi kokaine në Angli.

Në dosjen e Prokurorisë thuhej se: “Ka dyshime të arsyeshme se shtetasi Jan Prenga, pasi është rrëmbyer në Kamzë, direkt pas ngjarjes është dërguar në kompleksin ‘Golden’ dhe aty është mbajtur peng, si dhe personat që posedojnë e administrojnë këtë kompleks janë të përfshirë në rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit Jan Prenga.

Gjithashtu, nga shpjegimet e vëllait të viktimës, Tan Prenga, Anton Prenga, rezulton se ai ka dijeni për motivin e rrëmbimit dh mbajtjes peng të Jan Prengës, që është vjedhja e një sasie prej 260 kg lëndë narkotike, kokainë, në Angli, nga vëllai tjetër, Astrit Prenga dhe shoku i tij, Gëzim Dollani.

Ai gjithashtu ka dijeni kush janë organizatorët dhe rrëmbyesit e Jan Prengës, shtetasit Gentjan Doçaj, Korado Gështenja, Korado Bleta dhe Gramos (Dritan) Rexhepi, pasi këta të fundit e kanë kontaktuar vëllain e tyre Astrit Prenga në Angli për kthimin e lëndës narkotike dhe më pas do të lironin Janin”.