TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish-kryeministri Silvio Berlusconi, ndër politikanët më të fuqishëm italian, ka qenë dhe ndër ata që i ka qëndruar më afër Shqipërisë. Këtë fakt e ka dëshmuar edhe me dy vizitat e tij në vendin tonë, në periudha të ndryshme. Duke u kthyer pas në kohë, kujtojmë se Fatos Nano ishte kryeministri i parë që priti Berlusconin në Tiranë, në vitin 2002.
Qëllimi i tij ishte të verifikonte përpjekjet e qeverisë shqiptare për të luftuar trafiqet në drejtim të brigjeve italiane dhe për të përshpejtuar projektet që lidhin dy vendet. “Dhe garantoj nga ana ime afërsinë dhe kontributin e qeverisë sime dhe të vendit tim për qeverinë e Fatos Nanos dhe për Shqipërinë.”, tha asokohe Berlusconi.
Ndërkohë, Fatos Nano u shpreh se: “Unë e konsideroj vizitën e tij në Shqipëri një urë të re të rëndësishme të integrimit tonë në Evropën e Bashkuar. U ndjemë sot njëlloj të rinj dhe të impenjuar për të vazhduar se bashku zhvillimin e instrumenteve dhe të marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit për të integruar sistemet institucionale, sistemet ekonomike, sistemet energjetike në rrugën e përafrimit dhe të integrimit të Shqipërisë në Evropë.”.
Biznesi shqiptar kishte nevojë për para dhe eksperiencë për t’u zhvilluar dhe kompanitë italiane e kishin kuptuar një gjë të tillë, sidomos në fusha si telekonunikacioni, bankave, miniera apo hidrocentrale. Në vizitën e parë Berlusconi nuk erdhi duarbosh. Tashmë ishte realizuar një prej veprave më të mëdha dhe më të famshme mbi lumin Mat, Urën e Zogut.
Ai takoi presidentin Alfred Moisiu dhe kërkoi dialog mes palëve politike shqiptare, gjithmonë në konflikt. Sali Berishën e takoi në postin e liderit të opozitës dhe para deputetëve të Kuvendit mbajti një fjalim, por dhe shumë batuta. Bëri dhe një premtim jo të vogël si President i një prej skuadrave më të famshme të futbollit atëherë. Në shtator të 2008 skuadra e Milanit luajti me kombëtaren shqiptare.
Dy muaj më pas nga kjo ndeshje, Silvio Berlusconi u rikthye në Tiranë, këtë herë me ndryshimin se pritësi i tij ishte Sali Berisha. Gjatë kësaj vizite Shqipëria dhe Italia nënshkruan disa marrëveshje, mes tyre dhe dy projekte të rëndësishme në fushën e energjetikës, me një vlerë prej 2.5 miliardë euro. “Silvio është luani i gadishullit”, e kishte cilësuar Berisha-Berlusconin, ndërsa ishte në diskutim dhe importi i plehrave nga Italia, projekt që nuk u pranua.