AKTUALITET, 12 Qershor 2023, 14:39

Kthyen fshatin në “parcelë” hashashi, identifikohet 3 autorët në Vaun e Dejës, pranga njërit prej tyre

Kthyen fshatin në “parcelë” hashashi, identifikohet 3

Policia e Shkodrës ka identifikuar 3 autorë, të cilët dyshohen se janë autorë të kultivimit të disa parcelave me kanabis në fshatin Mnelë e Vogël.

Mësohet se në kuadër të operacionit ‘Mnelë’ u arrestua një prej tyre, konkretisht shtetasi me inicialet M. V., 52 vjeç, ndërkohë u shpall në kërkim shtetasi me inicialet N. V., 60 vjeç si dhe u identifikua një bashkautor tjetër, gjenealitetet e të cilit nuk bëhen me dije, për shkak të konfidencialitetit të hetimeve.

“Gjatë ditës së djeshme, në të njëjtin fshat, u gjetën dhe u asgjësuan 583 fidanë narkotikë cannabis sativa, si dhe u shpall në kërkim njëri nga autorët e dyshuar të kultivimit të tyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë vijuar kontrollet antikanabis në territorin e fshatit Mnelë e Vogël, si dhe veprimet procedurale për përcaktimin e plotë të autorësisë së kultivimit të fidanëve narkotikë cannabis sativa, të asgjësuara në këtë fshat, si rezultat i fazës së parë të operacionit policor antidrogë të koduar "Mnela".

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, u bë i mundur identifikimi i 3 nga autorëve të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, nga të cilët u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga njëri prej tyre, shtetasi M. V., 52 vjeç, u shpall në kërkim shtetasi N. V., 60 vjeç, si dhe u identifikua një bashkautor tjetër, gjenealitetet e të cilit nuk bëhen me dije, për shkak të konfidencialitetit të hetimeve. Nga hetimet dyshohet se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me shtetasin N. Gj. (të shpallur në kërkim ditën e djeshme), janë autorë të kultivimit të 656 fidanëve narkotikë cannabis sativa, në fshatin Mnelë e Vogël. 583 fidanë u gjetën ditën e djeshme, ndërsa 73 fidanë të tjerë u gjetën në të njëjtin fshat, si rezultat i vijimit të operacionit antidrogë “Mnela”. Fidanët narkotikë u asgjësuan nëpërmjet djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Operacioni policor antidrogë i koduar “Mnela”, vijon për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për përcaktimin e plotë të autorësisë së kultivimit të fidanëve narkotikë, në fshatin Mnelë e Vogël. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.