TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjermania është në vend të parë nga ku vijnë makinat. Nga ky shtet Shqipëria importon plot 36.5% të totalit të mjeteve të transportit, bazuar në shifrat e vitit 2022. Këto shifra janë në vlerë, dhe jo në njësi. Në vend të dytë ndjek Italia, me 14% të totalit, çka tregon se Gjermania dhe Italia përfaqësojnë gjysmën e tregut të automjeteve dhe mjeteve të transportit në vendin tonë.
Pas Italisë, në vend të tretë ndjek Kina, me 5.6% të totalit. Ky treg importi në vendin tonë sa i përket mjeteve të transportit është i përqendruar kryesisht te motomjetet por edhe te mjetet bujqësore, autobusët, automjetet e punës. Kina ka njohur një rritje të ndjeshme në peshë dhe në pozicionim, pasi përpara vitit 2022 ka përfaqësuar një peshë nën 3% në tregun e importit të këtyre produkteve në vendin tonë duke u pozicionuar ndër vite mes vendit të 6-të dhe të 10-të në renditje. Në vitet pararendëse këtë pozicion e kanë mbajtur kryesisht vende si Kanadaja, Britania e Madhe apo edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një tjetër shtet që bie ndjeshëm në sy është Koreja e Jugut, e pozicionuar e 4-ta në vitin 2022, me 5.2% të peshës. Ashtu si Kina, edhe Koreja e Jugut ka rritur ndjeshëm peshën në “tortën” e importeve në vendin tonë të mjeteve të transportit, pasi gjatë viteve të kaluara përfaqësonte një peshë nën 2.6%, e deri në 1.5% në vitin 2017, kur pozicionohej e 12-ta në renditje. Koreja e Jugut duket se ka dyfishuar prezencën në tregun shqiptar të mjeteve të transportit në harkun e shumë pak viteve.
Në vend të 4-tët renditen shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 4.4% të totalit dhe ndiqen nga Kanadaja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra dhe Franca. Dhjetë vendet e para të listës përfaqësojnë 83.4% të totalit. Ajo që bie tjetër në sy nga shifrat është fakti se Japonia ka përgjysmuar peshën e saj, duke dalë nga “Top 10”. Në vitin 2022 ka zbritur në vendin e 11-të ndërkohë që gjatë viteve të kaluara ka mbajtur përherë pozicione të larta, deri në vendin e 4-tët në vitet 2016-2017. Edhe dominimi italo-gjerman është tkurrur nga viti në vit, pasi ndërkohë që sot përfaqësojnë 50% të totalit të importit të mjeteve të transportit, në vitin 2016 përfaqësonin rreth 63%.