AKTUALITET, 3 Korrik 2023, 14:36

Ilir Meta paralajmëron: Misioni i “Ballkanit të Hapur” ka mbaruar, por jo i “Kalit të Trojës”

Ilir Meta paralajmëron: Misioni i “Ballkanit të Hapur” ka
Fotomontazh: Meta dhe Rama

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi sot se misioni i “Ballkanit të Hapur” ka mbaruar, por jo i “Kalit të Trojës”, duke bërë thirrje që Shqipëria dhe Kosova të jenë të bashkuara dhe në koordinim të plotë të qëndrimeve të tyre, duke tërhequr sa më shumë mbështetjen e BE, NATO-s dhe SHBA.

Ish-presidenti deklaroi se ajo ishte një nismë jotransparente dhe përçarëse që i shërbente protagonizmit dhe dominimit të një vendi në dëm të vendeve të tjera në rajon, si dhe të forcimit të autokracisë kundër demokracisë për interesa politike të ditës, vetëm efekte negative mund të kishte dhe të tilla pati dhe se e sulmuan kur ishte kryetar shteti pse ishte kundër “Ballkanit të Hapur”.

Postimi i Metës

MISIONI I “BALLKANIT TË HAPUR” KA MBARUAR, POR JO I “KALIT TË TROJËS”.

Tërheqja nga projekti përçarës dhe përjashtues i “Ballkanit të Hapur” është një vendim shumë i vonuar, që vetëm prodhoi kontradikta të forta mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe nuk solli asnjë rezultat tjetër.

Qysh në krye të herës, në vitit 2019, kur u prezantua si projekt me emërtesën “Mini-Shengeni Ballkanik” dhe në vijim, në mënyrë konsistente, gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit të Republikës dhe më pas, kam denoncuar se kjo nismë që ringjallte fantazmën e Jugosllavisë dhe të Millosheviçit, si dhe projektet ogurzeza të ndryshimit të kufijve ishte shumë rrezikshme për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, nuk bazohej në rregullat, parimet, liritë dhe vlerat e Bashkimit Europian, dhe si e tillë kam paralajmëruar se nuk mund të ishte jetëgjatë.

Kjo nismë jotransparente dhe përçarëse që i shërbente protagonizmit dhe dominimit të një vendi në dëm të vendeve të tjera në rajon, si dhe të forcimit të autokracisë kundër demokracisë për interesa politike të ditës, vetëm efekte negative mund të kishte dhe të tilla pati.

Për shkak të këtyre qëndrimeve, që u pasuan nga një sërë sulmesh, akuzash dhe nismash kundër Institucionit të Presidentit,  pohova në 12 shkurt të vitit 2022 se: “Nuk më duan President dhunuesit e të drejtave të shqiptarëve, kush synon ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe kush është pro ‘Ballkanit të Hapur’”.

Kjo deklaratë e imja vinte sepse isha i shumë i bindur dhe gjithmonë kam mbështetur në mënyrë të palëkundur “Procesin e Berlinit”, si një nismë gjithëpërfshirëse të përkrahur qartë nga të 6 vendet.

Kjo nismë ka dhënë rezultate konkrete, pasi jo vetëm shoqërohet me garancitë dhe mbështetjen financiare të BE, që ka ngritur edhe mekanizma zbatues dhe monitorues, por edhe sepse  “Procesi i Berlinit” mbështet krijimin e një tregu të përbashkët rajonal të bazuar në katër liri, fuqizon procesin e zgjerimit, duke i përshtatur reformat e kërkuara me mbështetje financiare, krejtësisht ndryshe nga “Ballkani i Hapur”, që paraqitej thjesht si një alternativë paralele ndaj anëtarësimit në BE duke e tjetërsuar rajonin tonë në një komunitet politik hibrid.

Çdo proces që ka BE-në brenda saj përfaqëson vullnetin e vendeve tona.

Çdo proces që copëton BE-në përfaqëson frikën politike të liderëve autokratikë për humbjen e pushtetit të tyre dhe është i destinuar të dështojë siç ndodhi me “Ballkanin e Hapur”.