AKTUALITET, 6 Maj 2023, 19:19

Meta ‘zbërthen’ dallimin me socialistët, mesazh për Ramën nga Vlora: Ka një ndryshim të madh mes korrupsionit të “Rilindjes” dhe transparencës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”

Meta ‘zbërthen’ dallimin me socialistët, mesazh për

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ndali turin elektoral këtë pasdite në Vlorë, nga ku nuk nguroi që të sulmonte dhe kryeministrin Edi Rama, që për shumë vite ka qenë deputet i këtij qyteti. Meta tha se Rama do të pranojë edhe kapitullimin edhe në Vlorë. Gjatë një takim me strukturat e PL-së në Vlorë, ku kërkoi mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki, Hysni Sharrën, Meta tha se ka një dallim të madh mes korrupsionit të “Rilindjes” dhe transparencës së koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

“Ai i Sarandës është kandidati i Alket Hysenit. Nga njëra anë Rama e kërcënon këtë socialistin që kandidon si i pavarur dhe nga ana tjetër e lajkaton. 100 % të pushtetit vendor në 4 vite. Ashtu e donte ai pushtetin lokal, një plaçkë për vete dhe për gomarët e tij. Kavaja dhe Vora të falimentuara.

Shumë bashki të tjera në prag të falimentimit. 25 kryetarë bashkie që i komandoi dhanë dorëheqjen sepse ishin të ngatërruar me trafik droge dhe zullume. Me ndihmën tuaj Rama do të pranojë edhe kapitullimin e Vlorës. Do të thotë se ky djali këtu që ka vënë Saliu dhe Iliri është familje e mirë… Ju jeni kryetarë të koalicionit sepse ju kanë zgjedhur qytetarët që të jeni të tillë. Ky është dallimi shumë i madh mes korrupsionit të rilindjes dhe transparencës së “Bashkë Fitojmë”.

Asnjë nuk e di sot buxhetin e bashkive të Shqipërisë. Vetëm një bashki i plotëson kushtet e transparencës të qeverisjes vendore, ajo e Shkodrës. Vlora e potencialeve të jashtëzakonshme, duhet t’u kthehet qytetarëve të saj. Këtu duan të tjetërsojnë gjithçka. Tjetërsimi i 3 shesheve kryesore të Vlorës, por edhe i sheshit të Flamurit, me kë i konsultuan këta këto ndryshime, këto tjetërsime”, pohoi ai.