AKTUALITET, 6 Maj 2023, 18:06

Nxehen gjakrat/ “Ikni, ose do të hani plumbin”, denoncon opozita në Durrës: Si u kërcënuan të rinjtë e FRPD-së që po shpërndanin fletëpalosje të Igli Carës

Nxehen gjakrat/ “Ikni, ose do të hani plumbin”, denoncon

Ethet e fushatës për zgjedhjet e 14 majit janë rritur, po ashtu dhe denoncimet. Në një dalje për mediat, opozita në Durrës ka denoncuar një rast të kërcënimit të aktivistëve të FRPD-së.

Përmes një deklarate për shtyp, kryetari i FRPD-së së Durrësit, Shyqyri Myrtollari, deklaroi se të rinj, përfaqësues të Forumit Rinor janë kërcënuar teksa po shpërndanin fletëpalosje në mbështetje të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Carës.

Sipas deklaratës, të rinjve u është thënë se nëse nuk largoheshin nga ajo zonë, do të hanin plumbin. Opozita pretendon gjithashtu se grupe të shumta kriminale, në bashkëpunim me patronazhistët janë shpërndarë në qytet dhe po bëjnë presion ndaj qytetarëve.

DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË FRPD DURRËS, SHYQYRI MYRTOLLARI

Denoncim i grupeve kriminale të organizuara për kërcënimet ndaj mbështetësve të kandidatit për Bashki Igli Cara. Sot rreth orës 13.30 në lagjen Stalla të zonës së Sukthit, ndërsa grupi i të rinjve të FRPD-së, po shpërndanin fletpalosje në mbështetje të kandidatit Igli Cara, një grup i përbërë prej afro 10 personash, janë afruar duke kërcënuar të rinjtë demokratë, që “Nëse nuk do të largoheshin nga zona e tyre, do të hanin plumbin”.

Ndërsa dita e votimeve po afron bandat kriminale janë shpërndarë në zona të ndryshme të qytetit te Durrësit duke ju bërë presion jo vetëm banorëve por edhe atyre që janë kundërshtarë të kryetares aktuale të Bashkisë. Ne si forcë politike denoncojmë këtë rast kriminal dhe kërkojmë nga Policia e Qytetit të Durrësit që të verifikojë urgjentisht personat të cilët kanë kryer këtë vepër penale dhe të merret masat e duhura ndaj tyre.

E drejta e informimit dhe e drejta e votës së lirë është e drejta e të gjithë qytetarëve. Presioni dhe kërcënimi i çdo votuesi është metoda e marrjes së votave nga ana e grupeve të organizuara të kryetares së Bashkisë Emiriana Sako. Kjo duket qartë nga prezenca e patonazhistëve dhe grupeve të organizuara kriminale të shpërndara kudo nëpër zonat e ndryshme të qytetit të Durrësit. Kjo nuk e ndalon aspak punën tonë dhe as që na frikson në hapat për ndryshimin e kësaj anarkie të krijuar nga njerëz të mbytur nga korrupsioni dhe krimi. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve Durrsakë që të mos intimidohen dhe as te tolerojnë kërcënimet e bandave kriminale dhe më 14 maj të vendosin vetë për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë Durrës.