AKTUALITET, 6 Maj 2023, 15:56

"Ka lënë pa shkollë 70 mijë banorë të Yzberishtit", Karabina: Veliaj vazhdon të mashtrojë, nuk jep llogari për mungesën e institucioneve shkollore

"Ka lënë pa shkollë 70 mijë banorë të

Shtabi elektoral i kandidatit Roland Bejko për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, reagoi sot ndaj disa premtimeve të kryebashkiakut aktual i cili garon për mandat tjetër.

Shefja e fushatës në Tiranë, Mirela Karabina në një deklaratë për mediet u shpreh se “Erion Veliaj vijon të mashtrojë dhe manipulojë opininin publik në lidhje me institucionet shkollore dhe shërbimin e ofruar nga to. Në takimet elektorale ai premton ndërtimin e shkollave të reja, por nuk jep llogari për mungesën e tyre ndër vite”.

“Kështu, Erion Veliaj ka lënë pa shkollë 70 mijë banorë të Yzberishtit. 8 vite pas premtimit se do ndërtohej një shkollë, shkolla 9-vjeçare jo vetëm nuk është ndërtuar, por ka devijuar gjurma ku ishte planifikuar të ngrihej. Kjo në shkelje të rregullave të planit urbanisitik sipas të cilit, lagjja duhet të ketë shkollën 9-vjeçare jo më larg se 500 metra nga banesa dhe atë të mesme jo më larg se 1000 metra, dhe na bazë të fizibilitetit duhet 1 shkollë 9-vjecare për 6000 mijë banorë dhe 1 shkollë e mesme për 9000 banorë”, tha ajo.

Sipas saj, zona e Astirit ka 25 mijë banorë, ku është ndërtuar vetëm një shkollë dhe justifikimi përgjatë takimeve elektorale është se ka patur probleme gjyqësore.

“Banorët te Liqeni i Thatë vuajnë nga mungesa e shkollës. Ndërtimet e shkollave me PPP që Bashkia Tiranë ofron janë me kosto të lartë financiare. Shkollat po ndërtohen me 6.8% kredi nga privatë, ndërkohë që Bashkia mund t’i ndërtonte me tender me lekët e marra nga taksat për infrastrukturën shkollore”, vuri në dukje Karabina.

“Partia Demokratike e Shqipërisë, kandidati i saj për Bashkinë Tiranë, Z.Roland Bejko ka një program të qartë për ofrimin e shërbimit arsimor cilësor për nxënësit 15 minuta larg shtëpisë dhe ndarjen e nxënësve në shkolla sipas rrezes së banimit në mënyrë që të menaxhojmë mbipopullimin e shkollave”, tha Karabina.