TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një ditë pasi Edi Rama i kërkoi nga Saranda që të tërhiqej nga gara si kandidat i pavarur, Gjergji Mërkuri i ktheu përgjigje kryeministrit dhe kreut të PS-së, duke u thënë se do ta vazhdojë garën, duke e ironizuar me sloganin socialist “Kurrë më mbrapa, vetëm përpara”.
“Të dashur miq, slogani ynë i kësaj fushate elektorale për Bashkinë e Sarandës “Vendosin qytetarët, jo partitë”, bëri të kuptojnë qartë të gjithë aktorët politikë fitoren tonë në 14 maj. Ne jemi të bashkuar dhe me një ambicie të vetme, që në 14 maj të triumfojë qytetaria. Ne jemi futur në këtë garë që të fitojmë dhe ta çojmë Sarandën në një fazë tjetër zhvillimi, duke u bazuar në dashurinë që kemi për këtë qytet ku ushtrojmë aktivitetet tona jetësore të përditshme.
Ditën e djeshme Saranda u vizitua nga kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, duke dëgjuar fjalët e mira në adresën time dhe kërkesën e tij, ne si qytetarë i përgjigjemi me sloganin e tij të fushatës elektorale:
“NUK KA KTHIM MBRAPA, VETËM PËRPARA”.
Teksa na ndajnë dhe një javë nga data zgjedhjeve unë informoj të gjithë bashkëqytetarët e mi se fushata jonë vazhdon intensivisht dhe këtë javë. Ne do të jemi kudo, do të flasim me çdo qytetar që e do Sarandën, të majtë dhe të djathtë qofshin. Kjo nuk është një betejë poltike, kjo është një betejë për Sarandën dhe qytetarët do të triumfojnë në 14 maj.
Ndaj këtë javë ftoj çdo mbështetës dhe simpatizantë, të flasë me këdo që mundet, të përcjellë mesazhin në çdo cep të qytetit, të unifikojmë forcat, pasi nga fitorja na ndan vetëm një javë. VENDOSIN QYTETARËT, JO PARTITË”-u shpreh Mërkuri.
Gjergji Mërkuri u fut në garë, ndonëse PS kërkoi në KAS përjashtimin e tij, me argumentin se Mërkuri ka falsifikuar firmat e qytetarëve për t'u futur në garë si kandidat i pavarur. Ndërkohë, Mërkuri akuzoi Partinë Socialiste se po u bën presion qytetarëve që kanë firmosur për hyrjen e tij në garë që të tërheqin firmat ose do i heqin nga puna.
Thirrja e Ramës
Rama, mbrëmë në Sarandë, pati një thirrje për Gjergji Mërkurin, kandidatin e pavarur për Bashkinë e Sarandës, i cili u fut në garë pas një debati të zhvilluar në degën lokale të Partisë Socialiste. Rama i kërkoi në mënyrë të drejtpërdrejtë Mërkurit që ta ndërpresë fushatën për 14 majin, ndërsa qytetarëve u kërkoi që të mos çojnë asnjë votë jashtë radhës PS-së. Kreu i PS i tha Mërkurit që duhet ta ndalojë fushatën dhe të presë rezultatin e 14 majit, e më pas të ulen në tavolinën e diskutimit për t’u bashkuar.
“Gjergjit i kanë rënë në qafë, por tani Gjergji nuk duhet t’i bie që qafë të gjithë PS, të gjithë atyre që janë këtu dhe mbi të gjitha nëse askush nuk gëzohet për ata që bën Gjergji ,janë ata tjerët që gëzohen. Kështu që unë gjegjin do ta ftoja të gjejë arsyen brenda vetes dhe nëse për një arsye ose një tjetër e ka të pamundur që ta ulë pak kokën, të paktën ta mbyllë fushatën. Ta mbyllë fushatën dhe të presë përfundimin e fushatës më 14 maj, të presë fitoren e Oltit dhe të PS dhe pastaj të kthehet në PS të ulemi në tavolinë t’i diskutojmë gjërat. Ata që kanë rënë në qafë ta pranojnë fajin, Gjegji ta pranojë fajin që po bën. Të bashkohemi dhe vazhdojmë përpara”, tha Rama.
Rama tha se dega e PS-së duhet t’i kërkojë falje Mërkurit, por edhe ky i fundit duhet të kërkojë ndjesë për këtë veprim. Sipas Ramës, në këtë rrugë ai po kërkon vota që i bëjnë dëm Partisë Socialiste.
“Gjergj Mërkuri është një djalë idealist, një djalë i ndershëm, i drejtë. Gjegj Mërkurit njerëz këtu të PS i kanë rënë në qafë dhe kanë bërë gabimin shumë të madh. Kjo nuk është arsye për të bërë atë Stefani nuk e bën kurrë. Kjo nuk është arsye për tu çuar dhe për të dalë matanë rrugës dhe për të kërkuar vota që i bëjnë dëm PS në këtë betejë. Nuk ka asnjë këtu që është në këtë shesh, nuk ka asnjë këtu që nuk është në këtë shesh dhe që nuk e do kthimin mbrapa, që është dakord me atë që po bën Gjergji aktualisht. Hatërmbetja nuk është këshilltar i mirë”, tha Rama