AKTUALITET, 6 Maj 2023, 16:20

Kandidon për deputet në Greqi, 31-vjeçari shqiptar: Kam 10 vite në politikë! Do luftoj racizmin dhe përjashtimin social

Kandidon për deputet në Greqi, 31-vjeçari shqiptar: Kam 10 vite

Një i ri shqiptar kërkon të hyjë në parlamentin grek. 50 parti politike, koalicione si dhe kandidatë të pavarur janë regjistruar për zgjedhjet parlamentare në Greqi, e në mesin e tyre ka edhe shqiptarë.

Një prej tyre është edhe Antilian Koxhaj. Shqiptari, kandidati për deputet i partisë Syriza në zonën e Pireut, në një lidhje me 'A2 CNN', u shpreh se ka nisur karrierën politike për të luftuar racizmin.

“Kam ardhur në Greqi në vitin 2000, kur isha shumë i vogël. Në politikë u angazhova me të rinjtë e Syriza. Kam 10 vite në politikë, kam hyrë me qëllim për të luftuar racizmin dhe përjashtimin social”, deklaroi 31-vjeçari.

“Dua që të gjithë të kenë shanse të barabarta. Emigrantët kanë 30 vite në Greqi dhe kanë qenë korrektë me detyrimet ndaj shtetit. Janë pjesë vitale e shoqërisë greke dhe duhet të kenë zë publik”, shtoi Koxhaj.

Koxhaj, nga brezi i dytë i emigrantëve kandidon me SYRIZA në zonën B të Athinës dhe Pireut.