TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative, duke u mohuar të drejtën dy grave shqiptare të regjistrojnë fëmijët në Gjendjen Civile, duke u identifikuar në çertifikatën e lindjes si dy nëna.
Dy paditëset janë Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara, të cilat kanë kërkuar të njihen si prindër të dy vajzave binjake të sjella në jetë nga njëra prej tyre.
Ahmetaj dhe Mara janë aktiviste të komunitetit LGBT dhe bashkëjetojnë prej vitesh me njëra tjetrën.
Aktualisht Shqipëria nuk i njeh martesat mes personave të së njëjtës gjini dhe nuk ekziston një mekanizëm ligjor për të regjistruar fëmijë të këtyre çifteve.
Beteja ligjore e tyre pritet të përfundojë në Strasburg, në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
"Gjendja civile kërkoi nga gratë që të regjistorinin vajzat nën emrin e Edlirës, duke u shprehur se ligji shqiptar nuk e njihte situatën faktike të familjes së tyre. Shkresën e Gjendjes Civile ato e paditën në Gjykatën Administrative të Shkallës së parë Tiranë, e cila më 1 prill 2022 i dha të drejtë Gjendjes Civile, duke lënë në fuqi urdhërin e saj për regjistrimin e vajzave nën emrin e njërës prej dy nënave që po i rrisin.
Këtë vendim ato e ankimuan në Gjykatën Administrative të Apelit. Pala paditëse janë dy nënat dhe dy vajzat. Më 2 dhjetor të këtij viti një kolegj i përbërë nga Ardian Dvorani, Enkelejda Metaliaj dhe Sokol Ibi vendosi të mbajë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë
Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara kanë vendosur që këtë betejë ta çojnë përpara deri në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut që ka sanksionuar të drejtën e çdo njeriu për të patur jetë familjare të njohur e të mbrojtur nga ligji, edhe nëse e drejta për jetë familjare ushtrohet jashtë konceptit tradicional të familjes e brenda konceptit më gjithpërfshirës të bashkëjetesës civile.", thuhet në njoftimin e organizatës Pro LGBT.
Reagimi i plotë i Pro LGBT:
Mbi nevojën e apelimit të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit që nuk mundëson njohjen ligjore të Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara si dy nëna të dy vajzave të tyre
Dashuria mes Edlira Marës dhe Alba Ahmetaj, dy drejtuese të organizatës Pro LGBT dhe aktiviste që prej vitit 2011, është shpesh objekti kryesor i fyerjeve, i gjuhës së urrejtjes dhe i dizinformimit në rrjete sociale, në media, e në hapësira të tjera publike, fetare dhe politike shqiptare.
Por ato kanë vendosur ta luftojnë urrejtjen dhe përbaltjen me dashurinë që kanë për njëra tjetrën dhe për komunitetin që i shërbejnë. Gjatë këtyre 8 vjetëve që ato bashkëjetojnë, një moment i rëndësishëm përcaktoi fatin e familjes që ato kanë ndërtuar bashkë. Ky ishte momenti kur vendosën të bëhen nëna.
Fillimisht shkuan në klinikën private të Dr. Orion Gliozhenit ku hasën në kundërshtimin e doktorit, i cili në kundërshtim me ligjin, me Kodin e profesionit të vet dhe me parimin e mosdiskriminimit, i largoi nga klinika.
Pas kësaj ato u drejtuan në një spital privat në Tiranë dhe pas përpjekjes së dytë të fertilizimit in vitro, arritën të mbeten shtatzënë. Më herët kishin vendosur bashkarisht që nëna biologjike të ishte Edlira, për shkak se shanset që ajo të mbetej shtatzanë – një arsye shumë e rëndësishme kjo në rastet e fertilizimit in vitro – ishin më të larta.
Në 18 janar të vitit 2021, ato u bënë me dy vajza binjake, të cilat lindën me shëndet të plotë edhe pse shtatzania kishte qënë e vështirë. Alba e kujton si një ëndërr të bukur atë ditë, si një nga ato momentet që ishte aq i përkryer sa nuk kishte mundësi të ishte i vërtetë. “Kisha një frikë të pashpjegueshme se do na i merrnin vajzat, ndaj isha si në ankth deri momentin kur i morëm në koshat e tyre të vegjël, u futëm në makinë dhe mbërritëm në shtëpi”, kujton Alba, e cila për shumë gjatë ka përjetuar përjashtim dhe diskriminim për shkak të identitetit të saj. Por ndryshe është ta ndjesh në supet e tua, e ndryshe është ta shikosh te fëmijët e tu.
Kur mbyllën derën për të përjetuar në ngrohtësinë e shtëpisë së tyre momentet e papërshkrueshme me fëmijët e sapolindur, kuptuan se jeta e tyre në Shqipëri nuk do të mund të ishte edhe aq private. Konstruksione të shumëllojshme, forca patriarkale dhe tradicionale të mirëstrukturuara në nivel ligjor, shoqëror, edhe institucional nuk do të lejonin që ato të praktikonin të drejtën e tyre njerëzore për të patur një jetë familjare. Në të njëjtën kohë, kuptuan edhe rolin historik që kishin marrë befas mbi supet e tyre për të bërë drejtësi për vajzat e tyre, për lirinë dhe të drejtat e familjes së tyre, për komunitetin e pse jo, për të gjithë Shqipërinë që nuk e ka braktisur asnjëherë në këto tre dekada të fundit aspiratën perëndimore të saj.
Gjëndja civile kërkoi nga gratë që të regjistorinin vajzat nën emrin e Edlirës, duke u shprehur se ligji shqiptar nuk e njihte situatën faktike të familjes së tyre. Shkresën e Gjëndjes Civile ato e paditën në Gjykatën Administrative të Shkallës së parë Tiranë, e cila më 1 prill 2022 i dha të drejtë Gjëndjes Civile, duke lënë në fuqi urdhërin e saj për regjistrimin e vajzave nën emrin e njërës prej dy nënave që po i rrisin. Këtë vendim ato e ankimuan në Gjykatën Administrative të Apelit. Pala paditëse janë dy nënat dhe dy vajzat. Më 2 dhjetor të këtij viti një kolegj i përbërë nga Ardian Dvorani, Enkelejda Metaliaj dhe Sokol Ibi vendosi të mbajë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Ka në këtë çështje disa argumenta, që janë ligjorë, etikë, zhvillimorë, shoqërorë, politikë, dhe pjesë e një diskutimi më të gjerë për të drejtat e njeriut.
Çdo njeri ka të drejtë të ketë një jetë familjare. Si individë, ne lindim ose adoptohemi në një familje, ndërsa si të rritur, secili prej nesh ka të drejtë ta zgjedhë familjen e vet. Historikisht familjet kanë qenë struktura ekonomike që ndihmojnë pjesëtarët të përballojnë jetën me sukses. Ato janë hapësira që na mundësojnë të zhvillojmë atashime të shëndetshme me prindërit apo kujdestarët tanë. Kështu ato janë thelbësore për zhvillimin fizik dhe emocional të fëmijëve.
Interesi më i lartë i fëmijës, kërkon që ambienti ku rritet të jetë i aftë ta zhvillojë, t’ia përmbushë nevojat zhvillimore dhe t’i krijojë fëmijës një qëndrueshmëri emocionale por edhe ligjore që e ndihmon fëmijën të ketë një lidhje të rëndësishme me prindërit ose kujdestarët, të zhvillojë marrëdhënie që zgjasin gjatë gjithë jetës, e të krijojë një sens përkatësie dhe identiteti.
Interesi më i lartë i fëmijës kërkon që prindërit që ushtrojnë përgjegjësi prindërore (pra prindërit që e rrisin fëmijën) të njihen për këtë përgjegjësi, sepse njohja e tyre si prindër u garanton edhe fëmijëve kujdesin e veçantë, një koncept i rëndësishëm ligjor në Republikën e Shqipërisë.
Në anën tjetër, aspirata europiane e Shqipërisë kërkon nga ne jo vetëm të sillemi, por edhe të jemi europianë. Kjo që Alba, Edlira dhe dy vajzat e tyre kërkojnë, është ajo që vendet e mëposhtme europiane ua garantojnë qytetarëve të tyre:
Austria, Kroacia, Gjermania, Liktenshtejni, Sllovenia, Zvicra, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Malta, Portugalia, Spanja, Belgjika, Franca, Irlanda, Luksemburgu, Hollanda, Britania e Madhe, Finlanda, Islanda, etj.
Apo vende të tjera perëndimore që kanë një prani të konsiderueshme të diasporës shqiptare, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, e deri në vende më të largëta si Australia, Zelanda e Re, Argjentina, Brazili Uruguaj, Afrika e Jugut, etj.
Në anën tjetër të kësaj pasqyre qëndrojnë vende të tilla si Rusia, Turqia, Irani, Iraku, Arabia Saudite, Egjipti, Gana, Afganistani, Uganda, Uzbekistani, Taxhikistani, Azerbajxhani, Mongolia, Hondurasi, Korea e Veriut, Bjellorusia, Burkina Faso, Pakistani, Sri Lanka, Somalia, Eritrea, Kirgistani, Turkmenistani, Sudani, etj.
E thënë ndryshe, vendet ku respektohen të drejtat e njeriut mbi bazën e racës, gjinisë, moshës, aftësisë, përkatësisë politike a fetare, identitetit gjinor apo orientimit seksual. Nuk mundet që disa fëmijëve t’u njihen prindërit, e disa të tjerëve jo.
Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara kanë vendosur që këtë betejë ta çojnë përpara deri në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut që ka sanksionuar të drejtën e çdo njeriu për të patur jetë familjare të njohur e të mbrojtur nga ligji, edhe nëse e drejta për jetë familjare ushtrohet jashtë konceptit tradicional të familjes e brenda konceptit më gjithpërfshirës të bashkëjetesës civile.
Për këtë arsye, vendimi i gjykatës së Apelit do të apelohet nga dy gratë dhe dy vajzat e tyre. Në këtë betejë për të drejtat e njeriut dhe për të garantuar interesin më të lartë të fëmijëve ato ftojnë çdo individ, grupim apo institucion që t’i bashkohen kësaj përpjekje të përbashkët për ta bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm për të gjithë.
Kjo mund të jetë një maratonë e gjatë për të drejtat e njeriut, por është një maratonë që ia vlen të bëhet, sepse bazohet te dashuria dhe te drejtësia sociale.